“Po shkojmë drejt falimentimit!” Taksistët shpërthejnë në protestë neser në Tiranë

Sindikata e Transportit Taksi të Shqipërisë ka njoftuar zhvillimin e një proteste ditën e mërkurë, më 11 nëntor, në orën 10:00, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Protesta vjen pas mungesës së reagimit nga institucionet për kërkesat e vazhdueshme të sindikatës lidhur me problematikat që po përballon sektori i transportit taksi në vend.

Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Punonjësve të Transportit të Shqipërisë, Gëzim Karanxha, ka renditur disa nga shqetësimet kryesore që kanë çuar taksistët drejt protestës. Ndër to janë numri i lartë i licencave, cilësia e karburanteve, barra e lartë fiskale dhe mungesa e vendqëndrimeve të dedikuara për automjetet taksi.

Karanxha ka paralajmëruar se shërbimi taksi po shkon drejt falimentimit, duke ngritur gjithashtu shqetësime për mënyrën se si operojnë disa prej kompanive të mëdha në këtë sektor.

Sipas tij, këto kompani përfitojnë një numër të konsiderueshëm licencash, por nuk respektojnë kriteret që lidhen me punësimin dhe orarin e punës së shoferëve.

Përmes protestës, taksistët synojnë të tërheqin vëmendjen e institucioneve përgjegjëse dhe të kërkojnë zgjidhje konkrete për problematikat që, sipas sindikatës, po rrezikojnë të ardhmen e këtij sektori.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.