Era e fortë dhe deti i dallgëzuar kanë pezulluar lundrimin e trageteve në linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas, duke shtyrë me 10 orë nisjet e parashikuara për mbrëmjen e së enjtes. Sipas Autoritetit Portual të Durrësit, tragetet që duhej të niseshin në orën 22:00 do të largohen mëngjesin e 13 nëntorit, në orën 08:00.
Pasagjerët janë njoftuar për ndryshimin e orarit, ndërsa disa prej tyre shprehen se kanë pak informacion për kohën e nisjes. Ndërkohë, procedurat e imbarkimit të udhëtarëve dhe automjeteve kanë vijuar normalisht.
Udhëtarët do të presin në tragete deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, pasi lundrimi do të rifillojë vetëm kur të garantohet siguria në det.
Për shkak të motit të keq, autoritetet detare kanë pezulluar gjithashtu daljen në det të anijeve të peshkimit.
