Spartak Ngjela rrëfen për herë të parë detaje nga burgu me të atin, zbulon pengun e jetës dhe i përgjigjet Luiz Ejllit: “Gruan nuk do ta kuptoni dot”

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka qenë i ftuar në emisionin “Live me Luizin” në Top Channel, ku është përfshirë në një bisedë të hapur me këngëtarin dhe moderatorin Luiz Ejlli.

Përmes batutave, pyetjeve pikante dhe përgjigjeve të drejtpërdrejta, Ngjela ka ndarë me publikun episode nga jeta e tij personale, periudha e regjimit komunist, vitet e kaluara në burg dhe raportin e veçantë me të atin, me të cilin ka qëndruar në të njëjtën qeli për vite me radhë, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike.

I pyetur nëse e ka falur regjimin komunist që i mori vite nga jeta, Ngjela u shpreh se nuk ishte një viktimë e rastësishme e tij, por një kundërshtar që e kishte goditur regjimin.

“Unë e godita. Babai ishte ministër dhe mamaja zëvendësministre. E bëra se mendoja se kisha forcë dhe s’më bënin gjë. Kur e panë dosjen time më thanë: Avokat, si s’të kanë vrarë?”, tregoi ai.

Një tjetër moment interesant ishte kur Luiz Ejlli e pyeti për të atin dhe bindjet e tij politike. Ngjela zbuloi se kishin kaluar vite në të njëjtën dhomë burgu, megjithëse babai i tij ishte i majtë, ndërsa ai vetë i djathtë.

Biseda u zhvendos më pas te dashuria, gratë dhe jeta personale. I pyetur se çfarë mund ta bëjë të heshtë, avokati u përgjigj: “Dashuria dhe sekreti që mbaj”.

Ndërsa kur moderatori e pyeti nëse është më e vështirë të kuptosh një grua apo të interpretosh Kushtetutën, Ngjela dha një përgjigje pikante:

“Gruan nuk do ta kuptoni dot. Është më me intelekt se burrat, pavarësisht se ka qenë e shtypur.”

Ngjela foli edhe për pengun e mungesës së fëmijëve, duke sqaruar se nuk e konsideron këtë një mungesë të jetës së tij, pasi ishte një zgjedhje që nuk e kishte pranuar vetë në të kaluarën.

Në pjesën politike, avokati deklaroi se është i djathtë dhe u shpreh optimist për të ardhmen e Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO dhe perspektivën europiane.

Në fund, i pyetur për një mesazh për shqiptarët, Ngjela u shpreh optimist, duke deklaruar se shqiptarët janë një shoqëri shumë inteligjente në Europë.

Intervista nuk mungoi as batutat, as deklaratat e forta, duke sjellë një tjetër anë të Spartak Ngjelës, përtej profilit të tij si avokat dhe komentator politik.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.