Kampioni olimpik Pirro Dhima ka paraqitur dorëheqjen nga posti i këshilltarit special në Ministrinë e Sportit në Greqi, pas arrestimit të vëllait të tij, Odhise Dhima, i dyshuar për përfshirje në një skemë të furnizimit të sportistëve me substanca të ndaluara.
Sipas mediave greke, dorëheqja e Pirro Dhimës nuk është pranuar nga zëvendësministri i Sportit, Janis Vrutsis.
Ky i fundit raportohet se i ka thënë kampionit olimpik se nuk mban përgjegjësi për çështjen, pasi nuk ka lidhje me veprimet e vëllait të tij.
Vendimi për të dhënë dorëheqjen ishte marrë nga Dhima për arsye ndjeshmërie dhe dinjiteti personal. Megjithatë, ai do të vazhdojë të mbajë detyrën në ministri, si dhe postin e sekretarit special në Federatën Greke të Peshëngritjes.
Ndërkohë, 58-vjeçari Odhise Dhima u arrestua në një zonë të Atikës, nën dyshimin se furnizonte sportistët me substanca të ndaluara dopingu dhe ua administronte ato. Mes rasteve të hetuara është edhe ai i djalit të tij të mitur, në mostrën e urinës së të cilit u zbulua oksandrolon, një substancë e ndaluar nga WADA.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe në ambiente sportive, policia sekuestroi 871 njësi preparatesh farmaceutike dhe substancash dopingu, 17 kartela sportistësh, dokumente, një telefon celular dhe 15 mijë euro.
Sipas hetimeve, aktiviteti i dyshuar mund të ketë nisur që në prill të vitit 2024. Autoritetet greke bëjnë me dije se preparatet e sekuestruara nuk ishin të autorizuara për tregtim në Greqi dhe konsiderohen të rrezikshme për shëndetin.
Pirro Dhima është një nga emrat më të njohur të peshëngritjes, pasi i ka dhuruar Greqisë tri medalje ari dhe një medalje bronzi në Lojërat Olimpike.
