Armiqt’ e Shqipërisë

Nga: Faik Konica

Të gjith’ ata që kanë njohur vendin t’onë, shkrojnë që dheu i Shqipërisë munt të japë bukë një-zet milionë shpirtëve. E dini që jemi tre milionë dhe që dy milionë prej nesh ngordhin urije… Shkrojnë që Shqipëtarët janë mjaft të mënçurë me punuem, nuk eshte vetem për zbukurimin e tyre, por edhe për mirësin’, edhe për dritën e gjithë njerëzisë. E dini mirë që shqipëtarë të mësuarë janë më të rrallë se fjalët e vërteta në gojë prifti. Cilët prejtin bukën e barkut, cilët prejtin bukën e mëndes?

Kemi armiq. Për atë të gjithë bashkohen në një zë. Vetëm për këtë ndahen që të gjithë, nuk tregojnë një armik. Ca zgjatin gjishtin drejt dhelpëris e grekut, ca dëftojnë gjarpërimin e shqevet, ca të tjerë emërojnë me zë të unjtë trashërin’ e Halldupëve. Kur dëgjojmë të tilla neve na vjen një i pambajtur gaz. Armiqt’ e Shqipërisë janë Shqipëtarë, jo të tjerë.

Shqipëtarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat të trazuarat, gjer në luftat më të gjaktat, shqipëtari ka hequr hark, vërtitur kordhë e zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të unjtë, se historia e këtij kombi që – për pakë të qelbur ergjënt – shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshërim, nga aqë qind vjet që e shkelin edhe e kurvërojnë të huajtë, s’i erdhi dëshërim të japë dy pika gjak për lirin’ e vetëhesë?

Të dojin shqipëtarët lirin’ e Shqipërisë, lehtazi e bëjin; po rinë të patundurë, edhe andej dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqt’ e saj. Dëgjoni mirë, në mos e dini! S’janë armiq vetëm duke ndenjur duartë në gji, po ditë për ditë edhe ndryshe punojnë kundrë mëmëdheut. Shkaku i këtyre të ligave është se shqipëtarët s’kanë shpirtin mjaft të lartë për të dashur lirinë; Shqipëtarët psherëtitën natë e ditë pas orës tek do të mundin të jenë fare-fare robër nënë Turkun a nënë Grekun…

Mesazhi kuptimplotë, që Rocky Balboa i dha të birit

 

“Nuk do ta besosh këtë gjë, por ti ishe sa pëllëmba ime dikur. Unë të ngrija dhe i thoja mamasë tënde : “Ky djalë do të bëhet djali më i mbarë në botë. Ky djalë do të bëhet dikush, më i mirë se çdo person tjetër”.

Pastaj ti u rrite si një djalë i mbarë. Ishte shumë bukur të të shihnim të rriteshe. Çdo ditë ishte si një privilegj, derisa erdhi koha që ti u rrite dhe duhet t’ia dilje vetë mbanë në jetë, gjë që e bëre, por diku gjatë rrugës, ti ndryshove. Ndalove së qenuri vetvetja. Ti fillove të lejosh të tjerët të të drejtojnë gishtin e të të thonë se ti nuk je i mirë dhe kur gjërat u vështirësuan, ti ia hodhe fajin dikujt tjetër e jo vetes.

Dua të të them diçka që ti e di tashmë. Bota nuk është një fushë e bukur me lule. Është e mbushur me sfida dhe nuk do t’ia dija aspak se sa i fortë je. Do të të godasë fuqishëm, do të të rrëzojë në gjunjë dhe do të të lërë në atë pozicion, derisa ti ta lejosh. As unë, as ti, askush tjetër nuk mund të të godasë aq shumë sa jeta. Nuk ka shumë rëndësi se sa fort i godet të tjerët, por se sa fort të godasin ty dhe ti sërish ecën përpara. Kështu përcaktohet fitorja!

Ndaj, nëse e di se sa vlen, kërko gjërat që meriton në jetë. Por ti duhet të përpiqesh gjithmonë të triumfosh, jo të drejtosh gishtin drejt të tjerëve dhe të thuash se nuk ia dole dot për shkak të atij, apo asaj, apo kujtdo. Frikacakët e bëjnë këtë gjë dhe ti nuk je frikacak. Ti je më i mirë se aq. Unë do të të dua gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje që ndodh. Ti je djali im dhe ke gjakun im. Ti je gjëja më e mirë e jetës sime. Por deri në momentin që ti të nisësh të besosh tek vetja, nuk ke për të pasur një jetë”.Na ishte dikur