Armiqt’ e Shqipërisë

Nga: Faik Konica

Të gjith’ ata që kanë njohur vendin t’onë, shkrojnë që dheu i Shqipërisë munt të japë bukë një-zet milionë shpirtëve. E dini që jemi tre milionë dhe që dy milionë prej nesh ngordhin urije… Shkrojnë që Shqipëtarët janë mjaft të mënçurë me punuem, nuk eshte vetem për zbukurimin e tyre, por edhe për mirësin’, edhe për dritën e gjithë njerëzisë. E dini mirë që shqipëtarë të mësuarë janë më të rrallë se fjalët e vërteta në gojë prifti. Cilët prejtin bukën e barkut, cilët prejtin bukën e mëndes?

Kemi armiq. Për atë të gjithë bashkohen në një zë. Vetëm për këtë ndahen që të gjithë, nuk tregojnë një armik. Ca zgjatin gjishtin drejt dhelpëris e grekut, ca dëftojnë gjarpërimin e shqevet, ca të tjerë emërojnë me zë të unjtë trashërin’ e Halldupëve. Kur dëgjojmë të tilla neve na vjen një i pambajtur gaz. Armiqt’ e Shqipërisë janë Shqipëtarë, jo të tjerë.

Shqipëtarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat të trazuarat, gjer në luftat më të gjaktat, shqipëtari ka hequr hark, vërtitur kordhë e zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të unjtë, se historia e këtij kombi që – për pakë të qelbur ergjënt – shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshërim, nga aqë qind vjet që e shkelin edhe e kurvërojnë të huajtë, s’i erdhi dëshërim të japë dy pika gjak për lirin’ e vetëhesë?

Të dojin shqipëtarët lirin’ e Shqipërisë, lehtazi e bëjin; po rinë të patundurë, edhe andej dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqt’ e saj. Dëgjoni mirë, në mos e dini! S’janë armiq vetëm duke ndenjur duartë në gji, po ditë për ditë edhe ndryshe punojnë kundrë mëmëdheut. Shkaku i këtyre të ligave është se shqipëtarët s’kanë shpirtin mjaft të lartë për të dashur lirinë; Shqipëtarët psherëtitën natë e ditë pas orës tek do të mundin të jenë fare-fare robër nënë Turkun a nënë Grekun…

Advertisement