Në Itali, koronavirusi po përhapet me ritme të shpejta. Numri i personave të infektuar ka shkuar në 2.263 ndërsa janë regjistruar 79 të vdekur. Ndërkohë mediat italiane raportojnë se 160 persona janë shëruar.Viktimat janë 55 në Lombardi, 18 në Emilia Romagna, 3 në Veneto, 2 në Marche dhe një në Liguria.
Ata janë kryesisht persona mbi 70 vjeç, disa me patologji të mëparshme.

Personave mbi 75 vjeç dhe mbi 65 të sëmurë u kërkohet të mos shkojnë në vende të mbushura me njerëz. Ky është një nga rekomandimet e Komitetit Teknik Shkencor të kërkuar nga Kryeministri italian Giuseppe Conte.
Gjithashtu u rekomandohet të gjithëve që të shmangin përqafimet dhe shtrëngimet e duarve, kur është e mundur, dhe të mbajnë një distancë prej një meter nga njerëzit e tjerë.

Ata me ethe do të duhet të qëndrojnë në shtëpi edhe nëse nuk kanë qenë në zona me rrezik. Masat kanë përfshirë të gjithë vendin për 30 ditë, por ato duhet të rivlerësohen çdo dy javë.
Italia po shqyrton dhe mundësinë për të mbyllur shkollat në gjithë vendin, por ende nuk ka një vendim.
Është propozuar ndërkohë që të ndalohen të gjitha organizimet sportive për një muaj. Kjo masë do të rrezikonte, ndër të tjera, mbajtjen e kampionatit të futbollit në Serie A. Gjysmëfinalja e Coppa Italia Juventus-Milan, e planifikuar për të Mërkurën 4 Mars tashmë është shtyrë deri në një datë të mëvonshme. Ka të ngjarë që mund të vendoset që të mos ndalet kampionati i futbollit në Serie A (vendimi i takon Ligës), por të parashikohen vetëm ndeshje me dyer të mbyllura.
