Një shtetase italiane, që u përfshi në një aksident këtë pasdite në aksin rrugor Pogradec-Lin, ka humbur jetën në trauma. 31-vjeçarja nga Milano po drejtonte një motor, ku pasagjere ishte një tjetër italiane, kur është përplasur me një mjet tip “Benz”, pranë fshatit Udënisht. Ajo u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por pas disa orësh ndërroi jetë, si pasojë e plagëve të marra.
Ndërkohë, shoferi 33-vjeçar i “Benz-it” është vënë në pranga, ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga drejtuesi i automjetit, i përfshirë në aksidentin e ndodhur pasditen e sotme, si pasojë e të cilit ndërroi jetë drejtuesja e motomjetit.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pasditen e sotme, për një aksident rrugor ju informojmë se specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 33 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në aksin rrugor “Pogradec-Lin”, pranë fshatit Udënisht, Pogradec, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përplasur me një motomjet me drejtuese shtetasen italiane E. R., 31 vjeçe, banuese në Milano, Itali, e cila pas ndihmës mjekësore të marrë në spitalin e Korçës, u transportua në spitalin e Traumës Tiranë, ku ka ndërruar jetë.
Nga ana e Policisë po kryhen veprimet hetimore dhe po punohet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
