Prokuroria çon për gjykim 2 zyrtarë të Bashkisë Korçë. Si shmangën nga taksat subjektet ndërtuese në 18 raste…

Prokuroria e Korçës ka çuar për gjykim dosjen ndaj dy zyrtarëve të Bashkisë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, Zhaneta Lubonja, Drejtore e  Planifikimit, Kontrollit dhe të Zhvillimit të Territorit në Bashkia Korçe, po ashtu Ermal Gjermeni, përgjegjës i sektorit pranë të njëjtës drejtori kanë favorizuar 18 herë disa firma ndërtimi, duke shmangur taksën e ndikimit në infrastrukturë.

Në përllogaritjen e prokurorisë vetëm në një rast në ndërtimin e një kompleksi banimi, Bashkisë së Korçës i është bërë një dëm prej 36 mijë euro, pasi subjekti ka paguar 3 për qnd të taksës dhe jo 8 % siç e parashikonte detyrimi ligjor.

“Prokuroria pranё Gjykatёs sё Shkallёs sё Parё tё Juridiksionit tё Pёrgjithshёm, Korçё pёrfundoi hetimet dhe dёrgon nё gjyq shtetasit Zh. B. dhe E.Gj. pёr kryerjen e veprёs penale “Shpёrdorim i detyrёs” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1061, tё vitit 2022, rezultoi se kёta shtetas me detyrё Drejtoreshë e Drejtorisë së Urbanistikës dhe Përgjegjës i Sektorit të Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Korçë,

tё cilёt pёr shumё vite kanё ushtruar detyrën si inxhinierё pranё Zyrёs sё Urbanistikёs nё Bashkinё Korçё dhe kanё pasur detyrё tё kontrollojnë aplikimet e bёra nga qytetaret apo bizneset pёr pajisjen me leje pёr kryerjen e ndërtimeve tё reja apo punimeve tё tjera ndёrtimore, vlerësimin e dokumentacionit, miratimin e lejes, etj, kanё aplikuar taksë në shkallë me të ulët në 18 raste nga 8%, në 3% dhe 2 raste nga 4% në 3%.

Nё rastin objekt hetimi, pёr ndёrtimin e njё kompleksi me 4 pallate nё lagjen nr.3 tё qytetit tё Korçёs, dy drejtuesit e Urbanistikёs sё Bashkisё Korçë, kanё miratuar lejen e ndёrtimit pёr shfrytёzim si kompleks turistik dhe subjekti ka paguar taksёn 3% pёr ndikimin nё infrastrukturë per ndertimet e reja, nё njё kohё kur taksa pёr ndikimin nё infrastrukturё pёr ndёrtimet e reja me qёllim banimi, apo njёsi tregtarё shёrbimi, pёr zonёn ansambёl arkitektonik tradicional nё qytetin e Korçёs, ёshtё pёrcaktuar 8% e çmimit tё shitjes pёr metёr katror.

Subjekti nuk i ёshtё pёrmbajtur kushteve tё lejes sё ndёrtimit, ka paguar 3% taksёs ndikim nё infrastrukturё, kur duhej tё paguante 8%, njё shmangie prej 36000 Euro nё vlerё monetare nga Taksa e ndikimit nё infrastrukturё vetёm nga ky subjekt. Shmangia e taksës nga 8% nё 3%, ёshtё bёrё me miratim tё drejtuesve tё Zyrës sё Urbanistikёs Bashkia Korçё.

Nga sa mё sipёr rezulton se me veprimet e tij shtetasit E.Gj. dhe Zh. L. i kanё konsumuar elementet e veprёs penale “Shpёrdorimi i detyrёs”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe duhet tё mbajnё pёrgjegjёsi penale.

Ata favorizuan subjektet ndёrtuese nё 18 raste, ku taska 8% për ndërtim me qëllim shitje është reduktuar padrejtësisht në 3% ose 4% dhe nё dy raste nga 4% nё 3%, duke shkaktuar dëm ekonomik për Bashkinë Korçë.

Si dhe kanё miratuar vёrtetime për pajisjen me certifikatë përdorimi, duke fshehur qëllimin tregtar të ndërtimit edhe kur ishte e qartë se ishin shitur apartamente. Po kёshtu, shtetasi E.Gj. ka firmosur raporte me pёrmbajtje tё pavёrtetё, nuk ka respektuar kompentencat pёr kontrollin e ndёrtimit dhe kanё shkaktuar dёm ekonomik pёr Bashkinё Korçё”

Picture

Fuste lëndë narkotike në qeli, arrestohet polici i burgut të Drenovës(Emri)

Prej kohësh në përgjim, arrestohet polici i burgut të Drenovës. Mesohet se ka qenë prokuroria që prej disa muajsh e ka vendosur në përgjim policin R.Myrte, ndërsa sipas të dhënave, dyshohet se Myrte fuste në burg lëndë narkotike dhe sende të paligjshme.

Dyshohet se ai ka futur brenda ambienteve të burgut doza lëndë narkotike kanabis ndërsa u arrestua nga autoritetet pas urdhrit të prokurorisë.

Pritet në vijim njoftimi zyrtar lidhur me rastin.

E rëndë në Korçë/ Gruaja gjendet e vdekur në banesë, dyshohet se…

Më datë 29 Qershor 2025, në banesën e saj në Korçë, është gjetur pa shenja jete shtetasja K. Xh., 67 vjeçe. Nga këqyrja e trupit nuk u konstatuan shenja dhune, ndërsa paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e shkaqeve natyrale.

Autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Materialet proceduriale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë për veprime të mëtejshme.

Aksident i frrikshëm në Pogradec/ Audi përplaset me Mercedesin ,ka të plagosur…

Pogradec/ Informacion paraprak

Në aksin rrugor Pogradec–Tushemisht, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin L. D., është përplasur me automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin E. H.

Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të dëmtuar të dy drejtuesit e mjeteve, si dhe dy pasagjerë që udhëtonin në këto automjete. Të dëmtuarit po marrin ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

E trishtë/ Shuhet Albano Vaso, djali legjendës së futbollit korçar dhe Kombëtares

Albano Vaso ka ndërruar jetë në moshën 56 vjeçare. Djali i legjendës së futbollit korçar Teodor Vaso, ish-futbollistit të Skënderbeut dhe Kombëtares, ka mbyllur sytë përgjithmonë natën mes të premtes dhe të shtunës, duke lënë në trishtim familjarë e miq.

Ndërkohë, një vit më parë, në muajin Mars 2024 është ndarë nga jeta dhe babai i tij, legjenda e futbollit elitar korçar dhe Përfaqësueses shqiptare, Teodor Vaso. Për disa vite me radhë, Vaso është cilësuar si një ndër lojtarët më të mirë të Kombëtares, për kohën që aktivizohej.

Heroi i përfaqësueses shqiptare do të mbahet mend për shumë episode të veçanta në jetën e tij, por më i veçanti ka qenë në ndeshjen e vitit 1967, kur luajti për 30 minuta me këmbë të vrarë dhe të ënjtur kundër Republikës Federale Gjermane.

Miq e qytetarët të shumtë të Korçës e përshkruajnë Albano Vason si një djalë të jahstëzakonshëm dhe qytetar model. Ata janë zemërthyer për ikjen e tij të parakohshme, në moshën 56 vjeçare.

Rita Ora hap zemrën për sfidat e saj si adoleshente: Beteja e nënës me kancer la gjurmë të thella te këngëtarja

Rita Ora ka ndarë një pjesë të ndjeshme të jetës së saj, duke rrëfyer periudhën e vështirë që përjetoi kur ishte ende një vajzë e re. Në një intervistë të sinqertë për podcastin Begin Again, artistja me famë botërore ka treguar se si diagnostikimi i nënës së saj, Vera Ora, me kancer gjiri, e tronditi thellësisht botën e saj.

Në atë kohë, Rita ishte vetëm 13 vjeç dhe nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të përballej me një realitet kaq të ashpër. “Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme, të shihje një person kaq të fortë, që gjithmonë ka qenë aty për ty, të dobësohej përpara syve të tu,” ka treguar ajo me emocion.

Pasojat që zgjatën me vite…

Kjo përvojë nuk ndikoi vetëm te adoleshenca e saj, por la pasoja që vazhduan të ndiheshin edhe në vitet që pasuan. Rita e ka pranuar hapur se trauma e përjetuar i shkaktoi sulme paniku dhe ankth të vazhdueshëm. “U bëra hipokondriake,” thotë këngëtarja, “çdo dhimbje e vogël më dukej si një kërcënim i madh dhe shpesh shkoja për kontrolle mjekësore pa pushim.”

Ajo rrëfen se e ndjente një përgjegjësi të madhe për t’i qëndruar pranë familjes gjatë asaj periudhe dhe se ky presion e shoqëroi gjatë gjithë adoleshencës. “Asgjë nuk ishte më si më parë,” ka theksuar ajo, “ndihesha e pafuqishme për të ndryshuar situatën dhe kjo më preku thellë.”

Sot, një kujtesë për të vlerësuar shëndetin dhe familjen

Vera Ora e ka kaluar betejën me kancerin me sukses, por gjurmët që la ajo kohë mbeten të gjalla. Rita shpjegon se tashmë e vlerëson edhe më shumë shëndetin e saj dhe kujdesin ndaj vetes. “Sot, jam mirënjohëse që e kam ende pranë,” shprehet këngëtarja, duke shtuar se historia e nënës e ka bërë më të vetëdijshme për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe të mbështetjes emocionale.

Me këtë rrëfim, Rita Ora nuk vetëm hap zemrën e saj, por i kujton të gjithëve se sa e rëndësishme është të jemi pranë njëri-tjetrit në momentet e errëta dhe sa forcë mund të gjejmë te familja.

Kërkohen punonjës në bregdet, rroga deri në 2,5 mijë euro në muaj

Nga Shkëmbi i Kavajës, në Vlorë, Qeparo, Dhërmi e deri në Ksamil nga bizneset po ofrohen punë për pozicione të ndryshme në sektorin e shërbimit me paga që arrijnë deri në 250 mijë lekë në muaj, sipas një sërë njoftimesh të publikuar online nga Agjencia e Punësimit Interest Motivation Power (IPM).

Epiqendra e ofertës me rrogat më të larta për punësimin sezonal është Dhërmiu. Nga bizneset po kërkohen punëtore për pozicione të ndryshme me paga nga 120 mijë lekë deri në 250 mijë lekë në muaj.

Pozicioni më i paguar është për kuzhinierin e përgjithshëm dhe për kuzhinier sushi, me pagë maksimale nga 220 mijë deri në 250 mijë lekë në muaj. Më pak i paguari krahasuar me pozicionet e tjera në Dhërmi është shefi i sallës me pagë mujore nga 120 mijë lekë deri 150 mijë lekë.

Oferta zgjerohet edhe më tej nga bizneset në Vlorë, Qeparo, Sarandë deri te Shkëmbi i Kavajës. Në Qeparo, një nga pagat më të larta është për picier, ku ofrohen 1,800 deri në 2,000 euro në muaj, ndërsa baristët përfitojnë deri në 150,000 lekë në muaj.

Në Vlorë, pagat për picierë arrijnë deri në 200,000 lekë në muaj, ndërsa në Sarandë, kuzhinierët përfitojnë deri në 200,000 lekë në muaj.

Në Ksamil dhe zona të tjera bregdetare si Himarë, Qerret apo Shkëmbi i Kavajës, pozicionet për kamarierë, sanitare dhe menaxherë hotelesh kanë gjithashtu pagesa që variojnë nga 60,000 deri në 200,000 lekë në muaj.

Për të gjitha pozicionet e punës përveç pagës ofrohet akomodim dhe ushqim.

Përfaqësues të Agjencisë së Punësimit IMP, prezentë prej disa vitesh në treg pohuan se pagat e ofruara këtë sezon turistik për punësime sezonale janë më të larta krahasuar me vjet.

Rritja e pagave sipas tyre është ndikuar nga oferta e larta për punësime sezonale krahasuar me kërkesën që është më e kufizuar.

“Ka interesim jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga persona në moshë më të madhe deri në 58 vjeç. Aplikimet janë të hapura dhe punësimi mund të ndodhë brenda 2 ditëve,” theksojnë nga agjencia IPM.

Edhe Enri Jahja, kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, më herët tha për Monitor se rritja e pagave për punonjësit e sektorit të shërbimeve në bare dhe restorante në bregdet ka vijuar edhe gjatë këtij viti, me një mesatare prej 10 deri në 20%.

Sipas tij pagat në jug për pozicione pune si kamarier, banakier apo profesionist për përgatitje koktejesh variojnë nga 120 mijë deri 200 mijë lekë në muaj.

Jahja tha se kjo rritje pagash është pasojë e një ekuilibri të prishur midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, ku kërkesa është e ulët dhe në shumë raste pa trajnim profesional, ndërsa oferta është e lartë.

Po ashtu pagat e ofruara nga bizneset e zonave bregdetare janë më të larta se referencat e publikuara nga administrata tatimore.

Sipas listës së publikuar nga Tatimet paga minimale për kamerierët në restorante, bare dhe hotele nuk duhet të jetë më pak se 70,000 lekë në muaj. Për pozicionin e kuzhinierit/kryekuzhinierit paga referencë është 140 mijë lekë. Për menaxher restorante paga referencë është 100 mijë lekë dhe menaxher hoteli 110 mijë lekë.

Megjithëse rritjen e pagave, sektori i bareve dhe restoranteve vijon të vuajë mungesën e fuqisë punëtore. Shumë prej bizneseve po shohin si zgjidhje punësimet e huaja, me punonjës nga Filipinet, Bangladeshi, Mianmari dhe Pakistani, edhe pse shumë prej tyre e shohin Shqipërinë si vend tranzit kalimit drejt vendeve të BE-së.

Në 2 -3 vitet e fundit sektori i bareve dhe restoranteve rezulton ndër më të prekurit nga mungesa e fuqisë punëtore, referuar edhe të dhënave të indeksit të Çelësi për njoftimet e punës. Në 2022 rezultoi se pati 45,670 njoftime për vende të lira puna. Krahasuar me 2021 numri i tyre u rrit 14%.

Ndërsa në 2023 sipas Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve industrisë i munguan përgjatë sezonit turistik 15 mijë punonjës. Kjo industri shënoi numrin më të lartë të vendeve vakante, pas sektorit fason për shkak të emigracionit./ D.Azo

Pagat e ofruara nga biznesi për punësime sezonale në bregdet

Dhërmi

-Kuzhinier për sushi: 200,000 – 220,000 lekë/muaj

-Picier: 150,000 – 200,000 lekë/muaj

-Shef salle: 120,000 – 150,000 lekë/muaj

-Kuzhinier: 150,000 – 250,000 lekë/muaj

Ksamil

Kamarier: 80,000 – 120,000 lekë/muaj

Vlorë

Picier: 200,000 lekë/muaj

Qeparo

Barist: 120,000 – 150,000 lekë/muaj

Picier: 1,800 – 2,000 euro/muaj

Sarandë

Kuzhinier: 200,000 lekë/muaj

Himarë

Sanitare: 80,000 – 100,000 lekë/muaj

Qerret

Kamarier bari: 60,000 – 70,000 lekë/muaj

Shkëmbi i Kavajës

Menaxher hoteli: 150,000 – 200,000 lekë/muaj.

Ronaldo, një “faraon”! Portugezi firmos kontratën më të shtrenjtë në histori…

Mbi 500 milionë euro në dy vite! Ronaldo futbollisti më i pasur në botë, portugezi firmos kontratën e më të shtrenjtë në histori . Cristiano Ronaldo ka firmosur një kontratë të re marramendëse me Al Nassr, duke u bërë sportisti me pagën më të lartë në historinë e sportit.

Legjenda portugeze do të përfitojë mbi 500 milionë euro gjatë dy viteve të ardhshme, me një pagë bazë ditore prej 573 mijë eurosh.

Sipas burimeve të SunSport, marrëveshja përfshin edhe një sërë përfitimesh shtesë që mund ta çojnë të ardhurat e yllit 40-vjeçar në mbi gjysmë miliardi paund deri në fund të kontratës.

Pagë vjetore: 209 milionë euro, që sipas statistikave, ai do të fitojë 13 euro në sekondë dhe 780 euro në minutë;

Bonus firmosjeje: 28.7 milionë euro, që mund të rritet në 45 milionë euro nëse aktivizohet viti i dytë;

15% aksione në klubin Al Nassr, me vlerë 38 milionë euro;

Bonuse sportive: 5 milionë euro për “Këpucën e Artë” dhe 9 milionë nëse Al Nassr fiton titullin;

Shërbime personale: 16 punonjës në dispozicion – 3 shoferë, 4 pastruese, 2 kuzhinierë, 3 kopshtarë dhe 4 roje sigurie;

Shpenzime për jetën luksoze: 1.65 milionë euro në vit për stafin personal, 5 milionë euro për përdorimin e avionit privat;

Marrëveshje sponsorizimi me kompani saudite: deri në 70 milionë euro.

Burime pranë Ligës Profesioniste Saudite kanë treguar se rinovimi ishte prioritet absolut, pasi largimi i Ronaldos do të kishte qenë një goditje e madhe për kampionatin.

“Ai është fytyra e ligës. E tërheq vëmendjen, yjet, sponsorët. Pa të, një pjesë e madhe e së tashmes dhe së ardhmes së kampionatit do të binte,” tha një zyrtar i lartë për SunSport.

Al Nassr dhe autoritetet saudite e konsiderojnë Ronaldon si ambasadorin më të fuqishëm të futbollit të tyre, duke i ofruar gjithçka për ta mbajtur jo vetëm si lojtar, por edhe si figurë strategjike për tërheqjen e investimeve dhe emrave të mëdhenj në të ardhmen.

Korça në rënie të lirë/ E para në republikë në mbylljen e bizneseve të vogla(Grafiku)

Ekonomia e vendit është dukje ndjekur trendët demografike me përqendrim më të lartë të bizneseve të vogla drejt qendrave të mëdha urbane si Tirana dhe Durrësi dhe tkurrje ne qarqet e tjera. Numri i bizneseve me 1 deri në 4 punonjës në Shqipëri është rritur lehtë në vitin 2024 me vetëm 1% në krahasim me një vit më parë, por shpërndarja sipas qarqeve ishte me rënie në shumicën e tyre në sinkron më lëvizjet e popullsisë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, nga 12 qarqe të vendit në 8 prej tyre numri i bizneseve me 1–4 punonjës ka shënuar rënie.

Reduktimi në 2024 ishte më i theksuar në Korçë me 312 biznese më pak ose −5.21% në raport me 2023. Pas saj vijnë Elbasani me minus 302 biznese ose −4.07% dhe Gjirokastra me minus 48 biznese ose me rënie 2%.

Qarqet si Shkodra, Dibra, Berati, Fieri dhe Kukësi shënuan ulje të lehta që variojnë nga −0.55% deri në −1%.

Kryeqyteti vijon të jetë epiqendra e aktivitetit ekonomik. Tirana ka shtuar 1,489 biznese të vogla brenda një viti, duke shënuar një rritje vjetore prej 2.81%. Ky është kontributi më i madh në rritjen kombëtare dhe tregon një përqendrim të vazhdueshëm të zhvillimit ekonomik dhe sipërmarrjes në zonën metropolitane.

Edhe Durrësi dhe Vlora shënojnë rritje. Durrësi ka regjistruar 286 biznese më shumë (+2.46%), ndërsa Vlora 152 më shumë (+1.55%). Këto të dhëna përforcojnë tendencën e zhvillimit ekonomik nga turizmi në zonat bregdetare.

Lëvizjet e brendshme të popullsisë dhe emigrimi jashtë vendit po pakësojnë bazën e konsumatorëve dhe fuqinë punëtore në qarqet më pak të zhvilluara.

Bizneset e vogla 1–4 punonjës janë një tregues i rëndësishëm i vitalitetit të ekonomik dhe social në komunitete, pasi ato janë kryesisht familjare dhe të lidhura ngushtë me kërkesën lokale. Kur këto biznese rriten, zakonisht ka rritje të konsumit lokal, rritje popullsie dhe optimizëm ekonomik, e kundërta ndodh kur pakësohen pasi zakonisht ka tkurrje demografike,

rënie te aktivitet ekonomik pasivitet ekonomik dhe varfërim social.

Sipas të dhënave të INSTAT, Tirana dhe Durrësi janë të vetmet që shënuar rritje të ndjeshme të popullsisë përmes migrimit të brendshëm, duke tërhequr pjesën aktive nga qarqet si Dibra, Kukësi, Gjirokastra apo Elbasani. Kjo rritje e popullsisë urbane ndikon drejtpërdrejt në kërkesën për shërbime, dhe rritjen e nevojës për biznese të vogla në fushat si gastronomia, transporti, teknologjia dhe shërbimet për qytetarët./Monitor

E rëndë në Greqi/ Gjendet e pajetë 56-vjeçarja shqiptare, nënë e 3 fëmijëve…

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të mërkurë në Greqi, ku një 56-vjeçare me origjinë shqiptare është gjetur pa shenja jete. Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur në Chania, në ishullin e Kretës. Trupi i viktimës është gjetur nga vëllai i saj, ndërsa shkaqet e vdekjes mbeten ende të paqarta.

Paraprakisht dyshohet se gruaja është vetëvarur, por autoritetet greke nuk kanë konfirmuar ende versionin përfundimtar. Viktima ishte nënë e tre fëmijëve.

Sonila Meço: “Nuk jam raciste, por Tirana është mbushur me indianë, bangladeshas e filipinezë. Nuk po njohim më njeri në qytet

Sonila Meço shkruan se Tirana është mbushur plot me të huaj, që kanë zëvendësuar shqiptarët e larguar. Sipas saj, tashmë Tirana është kthyer një qytet i huaj për vetë ata shqiptarë që jetojnë këtu.

Shkrimi i Sonilës

Fytyra e huaj e një “shtëpie” Kur u mblodhëm vonë në shtëpi pas një dite të gjatë nëpër zagushi, askush nuk kish fuqi e nerv për një darkë të shëndetshme.

Pica?”, thamë thuajse njëkohshëm. E nuk kaluan 20 minuta kur në celular një zë i ndrojtur më fliste me një shqipe të çalë:

“Erda jam te ardeza juaj”

Dal të marr porosinë dhe shoh një djalë zeshkan, që më zgjat picat dhe buzëqesh me një “faleminderit” të ngatërruar bashkëtingëlloresh, kotkat e së cilës i “gëlltiste” me uljen e zërit.

E pyes se nga është e më thotë nga India.

Heu!!!

E treta herë këtë javë. Të hënën, në mëngjes tek servisi teksa hyra të ndërroj gomën e makinës, 5 djem indianë më shërbyen me kujdes, shpejtësi e pa fjalë. Sot në drekë tek dyqani ku bëjnë ca bukë të mira thekre nga një çift shqiptarësh më shërbeu një indian, që zëvendësonte shokun tjetër indian, që kish ikur pa lajmëruar as agjensinë që i kish sjellë në Tiranë.

Në lagjen tonë karrocat e fëmijëve shpesh i shëtisin filipinaset. Në ndërtim, dy lagje më tutje gjen ca djem bangladeshas, që bëjnë punë hamalli.

Dhe vetëm një “bye friend” nga indiani i qetë, i paqtë, i butë më riktheu në derën e shtëpisë në qytetin ku kam lindur, jam rritur e jam bërë nënë. E për herë të parë shtëpia më ngjau si një ishull i vogël në një det të panjohur, ku muret flasin gjuhën e kujtimeve të mia, por qyteti përreth flet një gjuhë tjetër, të ftohtë, të importuar, që s’ka as rrënjë, as mall, as histori.

Dhe nis e më trishton jo prania e të tjerëve, por mungesa e tanëve.

Unë nuk jam raciste.

Kjo nuk është ksenofobi.

Është trishtim për Tiranën që nuk po rritet, por Tiranën, që po zëvendësohet.

Po zhduken zërat, lagjet, buzëqeshjet e njohura. Po mbetet veç kaosi dhe qiraja e shtrenjtë.

Kur flas me ndonjë mik, që më kujton se edhe shqiptarët janë pritur jashtë, ndaj duhet të mirëpresim emigrantët që vijnë tek ne kam gjithnjë bindjen dhe kurajon ta pranoj se është një krahasim i rremë dhe shpesh hipokrit.

Sepse shqiptarët, kur ikën në vitet ’90 dhe me eksode të tjera më pas, nuk shkuan për të zëvendësuar qytetarët vendas, apo për të mbushur boshllëqet e një sistemi të kalbur.

Ata u përplasën me mure racizmi, me punë të rënda, me vite të tëra pa dokumente dhe u përshtatën ngadalë nëpër shoqëri që funksiononin. U integruan përmes ligjit, shkollës, gjuhës dhe sakrificës personale. Nuk u përqafuan si zgjidhje për zbrazjen e vendeve ku emigruan, por u toleruan si sfidë.

Ndërsa Shqipëria nuk po i trajton sot emigrantët si sfidë për t’u menaxhuar denjësisht, por si zëvendësues me kosto të ulët për një brez që ka ikur. Nuk po ndërton një sistem bashkëjetese, por një (anti)model ku shqiptari largohet për pagë të denjë, ndërsa të huajit i jepet pagë minimale për të mos folur, për të mos protestuar dhe për të mos kërkuar më shumë.

Prandaj nuk është e njëjta gjë. Shqipëria sot nuk po ndihmon të tjerët, por po zëvendëson vetveten. Dhe kjo është dramatike.

Kur ndonjë i njohur, i rehatuar me punë shteti më thotë se ky është zhvillim, i kërkoj të shohë në sy fëmijët e vet e ta pohojë para tyre. “Nuk janë këtu”, më thotë. “Nuk edukohen këtu”. E sërish pa e fyer për hipokrizinë i kujtoj se zhvillimi është kur njerëzit që e ndërtuan këtë qytet jetojnë më mirë. Kjo jona është zbrazje. Është ndërrim popullsie pa zhurmë. Dhe se fëmijët e tij nuk i largoi mërzia, por mungesa e shpresës. Dhe indianët, bangladeshasit, afrikanët që vijnë në Shqipëri nuk gjejnë këtu ëndrrën europiane, por një formë tjetër mbijetese.

Zhvillimi i vërtetë ndodh kur një vend ngre pagat, tërheq talentet,

i jep dinjitet profesionit dhe krijon shtresë të mesme produktive. Shqipëria nuk po bën asnjërën prej këtyre. Shqipëria po eksporton rininë e vet dhe po importon skamje të huaj. Në vendet ku shqiptarët emigrojnë, punëtorët e huaj plotësojnë mungesat në sektorë me vlerë të shtuar, në teknologji, ndërtim, kujdes shëndetësor. Në Shqipëri ata zëvendësojnë punëtorët që janë detyruar të ikin për mbijetesë, për rroga që nuk sigurojnë jetë. Dhe jo në sektorë prodhues.

“Është moderne të kesh punëtorë të huaj në çdo cep të qytetit”, më shkruan një e njohur rehatuar me projekte të shoqërisë civile. Por hesht pasi i gjegjem se s’ka asgjë moderne në faktin që një vend i varfër, me një shtresë të hollë oligarkësh, po zëvendëson njerëzit e vet, jo për zhvillim, por sepse nuk ka kush t’i shërbejë. Rinia shqiptare nuk po ikën sepse nuk ka punë. Po ikën sepse s’ka më kuptim. Sepse puna këtu nuk të jep as dinjitet, as siguri, as të ardhme. Kurse Shqipëria zëvendëson të rinjtë me krahë pune më të lira, që nuk ankohen, nuk votojnë, nuk protestojnë.

“Kjo është Tirana kozmopolite pra mam”,

më thotë vajza ime adoleshente ndërsa qesh me hutimin tim. Por i kthehem se e hutuara është ajo. T’i thuash Tiranës “kozmopolite” sot, sepse ka më shumë indianë, filipinas dhe bangladeshas në punët e lodhshme është një keqkuptim i thellë. Sepse një qytet bëhet kozmopolit kur përthith kultura, ide, dije, investime dhe ndërton bashkëjetesë mbi respekt të ndërsjellë dhe standarde të larta jetese, jo kur mbush boshllëkun e emigracionit të vet.

Të jesh kozmopolit nuk do të thotë të largosh fëmijët e tu dhe të mbushësh sheshet me njerëz që nuk dinë ç’është ky vend, por kur ruan identitetin tënd dhe ia hap derën botës në mënyrë të barabartë. Në Tiranën “kozmopolite” të ditëve tona, shqiptari nuk përfaqësohet më, por zëvendësohet. Dhe ky nuk është globalizim, por zbrazje e organizuar.

Për më tepër, kozmopolitizmi kërkon sistem, kulturë institucionale dhe standard social. Tirana nuk i ka këto. Ka vetëm ndërtime, beton pa mbarim dhe punë të paguara keq.

E si mund të ndërtosh shtet o lum miku mbi importin e varfërisë, ndërkohë që eksporton çdo ditë inteligjencën, forcën dhe shpresën e vendit tënd?!

Kur iu ktheva picës pas vërshimit të 1001 mendimeve qe ftohur. Qe bërë bajate. Një shije e thartuar më pushtoi laringun dhe çuditërisht nuk përtova të ziej një vezë e të kripos një domate për darkë. Ndoshta nga një frenim prej nënvetëdijes si formë mbrojtjeje ndaj një tjetër shpërndarësi indian, që me shqipe të sakatuar e pagë minimale do më uronte natën e mirë tek dera e shtëpisë në qytetin ku jam lindur, rritur e ku jam bërë nënë.

Dhe Tirana nuk ka ndryshuar se ka ardhur bota tek ne. Ka ndryshuar sepse ne kemi ikur prej saj. Të huajt nuk janë problem, por boshllëku që i pret është. Sepse qyteti nuk bëhet më i mirë kur mbushet me të panjohur, por kur ata që e ndërtuan ndihen ende pjesë e tij. Dhe kjo ndjesi po shuhet, qetësisht, pa rezistencë çdo ditë.

Një qytet nuk e gjen shpirtin tek ata që e mbushin përkohësisht, por tek ata që e kujtojnë si shtëpi edhe kur janë larg. Dhe zgjedhin një ditë të kthehen për ta dashur sërish.

“Arbri e ka mbyllur ciklin e vet”/Bled Mane shpreh dëshirën për të qenë opinionist i BBV…

Iftuar në “Live From Tirana” nëpërmjet një lidhje telefonike, ka qenë gazetari Bledi Mane. Ai ka folur më shumë mbi luftën Izrael-Iran, por dhe shumë lajme të tjera. Lidhur me showbizin, si i komenton ai ish-banorët e BBV pas daljes së tyre nga reality show dhe planet e tyre të karrierës?

A e mendon Bledi të rikthehet si pjesëmarrës në “Big Brother VIP 5”?

Besoj se do të më pëlqente në rolin e opinionistit. Ndoshta me Nedën do bëja një dyshe të lezetshme, sepse Arbri besoj e ka mbyllur ciklin e vet. Gjëra më të mëdha po e presin. Kështu që një sugjerim, Arbri duhet të mbyllë misionin edhe me “Big Brother”, edhe me organizatën humanitare. Duhet të japë kontributin tani në integrimin e Shqipërisë në BE dhe veçanërisht në politikë. Kështu që çdo njeri ka etapat e veta, ia sugjeroj Arbrit, ia jap këtë këshillë publikisht.

Do të doje të ishe krah Nedës apo një opnionisteje tjetër?

Mendoj se Nedën.

Të pëlqeu Neda këtë edicion?

Nga 4 deri tek 10, i vendos notën 7. Por me mua besoj se do arrijë tek nota 9.

Po ndihmonte një person të kalonte kufirin/ Arrestohet në Kapshticë 20-vjeçari algjerian

Një 20-vjeçar algjerian është arrestuar në Kapshticë gjatë natës, teksa shoqëronte një shtetas tjetër algjerian, duke i dhënë ndihmë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti që ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të kalonin ilegalisht nga Greqia në Shqipëri, me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.

Shërbimet kufitare dhe hetimore kanë zbuluar se aktiviteti kriminal kryhej kundrejt pagesës, ndërsa 20-vjeçari vepronte në bashkëpunim me persona të tjerë, gjithashtu shtetas algjerianë, të cilët aktualisht janë në kërkim.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale, si dhe për të identifikuar dhe kapur bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut të paligjshëm.

Materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj të arrestuarit, i cili do të përballet me akuzën për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Andi Bushati: “Macron e Meloni e kanë “vëlla” Edi Ramën, PD merret me raporte koti ndërkombëtare

Për Andi Bushatin, më 11 maj, shqiptarët u bënë pjesëmarrës të një farse elektorale .Ai thotë se tashmë jemi në diktatur, ndërsa regjimet nuk mund të rrëzohen përmes rezolutave dhe raporteve ndërkombëtare. Sipas Bushatit, ndryshe nga sa ka ndodhur me udhëheqësit e opozitës, përfshirë Berishën e Metën, apo edhe ish-kryesocialistin Fatos Nano, që e lëshuan pushtetin me votë, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Ramën, i cili qëndron në pushtet përmes autokracisë.

“Shqiptarët s’kishin mundësi të zgjidhnin. Diktatura ka kur ka vetëm një diktator, dhe unë këtë e quaj regjim.

Berisha ka një rekord në historinë e tij politike, ka lëshuar pushtetin me votë.

Në historinë e Shqipërisë kemi një njeri që se ka lëshuar kurrë pushtetin e tij me votë, njëjtë si Meta dhe Fatos Nano që lëshuan pushtetin me votë.

Shqiptarët u bënë pjesëmarrës në një farsë. Kam marrë pjesë në votime edhe në komunizëm. 

Çfarë vlere ka ky raport? A përballohen regjimet diktatoriale me raporte e rezoluta?

Ne kemi një dualitet, kemi disa raporte teknicienësh, nga ana tjetër kemi Macron, Meloni, që thonë vëllai jonë Rama, mirë është e s’na prish punë.

Gabimi i opozitës, që fryn e bymen këto raporte, sikur nga këto vjen ndryshimi.

S’rrëzohen regjimet diktatoriale me raportet e BE, KiE, PPE.

Tani kemi hyrë në një periudhë post demokratike, me farsa, SPAK, s’ka asgjë.

Hiqi mënjanë këto, ne si shqiptarë, si duhet të përballemi me regjimin që kemi një qafë, dhe kjo është pyetja që duhet të bëjë çdo shqipar dhe opozitar. S’ka alternative në diktaturë”, tha ai.