Kontrolli zbulon 102 pako ka*abis, në pranga drejtuesi i mjetit në kufi me Greqinë

Policia greke ka sekuestruar mbi 109 kilogramë marijuanë pranë kufirit greko-shqiptar gjatë një operacioni të zhvilluar mëngjesin e së dielës në zonën e Igumenicës. Sipas autoriteteve, efektivët ndaluan një automjet që dyshohet se ishte ngarkuar me lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 102 pako me marijuanë, me peshë totale 109 kilogramë e 364 gramë. Pakot me drogë ishin fshehur në sediljet e pasme dhe në bagazhin e automjetit.

Në pranga ka përfunduar drejtuesi i mjetit, një shtetas turk 43-vjeçar, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm të përfshirë në rrjetin e trafikut.

Sipas policisë greke, që nga shtatori i vitit 2025 janë sekuestruar mbi 1.1 ton lëndë narkotike që dyshohet se janë trafikuar përmes kufirit greko-shqiptar.

Rastet më të shumta janë regjistruar në Igumenicë, si në rrugë tokësore ashtu edhe detare, ndërsa sekuestrime të tjera janë kryer në Janinë, Selanik dhe Kostur.