Qeveria shqiptare do të financojë me rreth 4.2 milionë euro koncertin e Kanye West në Tiranë, pavarësisht deklaratave të mëparshme se eventi nuk do të merrte asnjë fond publik. Fillimisht, Kryeministria dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit mohuan përfshirjen e buxhetit të shtetit, duke thënë se koncerti financohej nga organizatorët privatë.
Por më 6 korrik, Këshilli i Ministrave miratoi një akt normativ që autorizon 400 milionë lekë nga fondi rezervë për mbështetjen e aktivitetit.
Një ditë më pas, kryeministri Edi Rama pranoi publikisht financimin, duke e justifikuar si ndërhyrje për garantimin e pjesëmarrjes së mijëra spektatorëve.
Vendimi ka shkaktuar reagime, sidomos për shkak të mungesës së transparencës mbi kostot konkrete dhe faktit se shuma tejkalon ndjeshëm buxhetin vjetor të thirrjeve publike për aktivitete kulturore e turistike.
