Në Parlamentin Europian, Beleri ngre alarmin: “Shqipëria ende nuk është gati për në BE! Po sulmohet Berisha dhe Meta

Eurodeputeti Fredi Beleri ka shprehur kritika ndaj ecurisë së procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke deklaruar në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri se vendi nuk i ka përmbushur ende standardet për anëtarësim.

Gjatë fjalës së tij të mbajtur në Parlamentin Europian, Beleri ngriti shqetësime për funksionimin e sistemit të drejtësisë, zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe procesin e vettingut. Sipas tij, reforma në drejtësi ka shfaqur mangësi, ndërsa përmendi edhe raste të gjyqtarëve që janë përfshirë në procese hetimore ose gjyqësore në vende të tjera të Bashkimit Europian.

Eurodeputeti u ndal gjithashtu te çështjet që lidhen me ish-presidentin Ilir Meta dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke lënë të kuptohet se ata janë përballur me padrejtësi nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

Po ashtu ai theksoi se pretendimet se Shqipëria është gati për t’u bërë pjesë e BE-së nuk përputhet me aktualitetin.

“Disa thonë që Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar. Këta persona ose nuk e shohin situatën siç është aktualisht, ose kanë një imazh të gabuar të saj”, u shpreh ai.