Një deklaratë e deputetes socialiste Briseida Çakërri ka ngritur pikëpyetje, pasi në përpjekje për të shpjeguar pse çmimet vazhdojnë të mbeten të larta, ajo përfundoi duke shpjeguar… pse ka rënë euroja. E pyetur pse forcimi i lekut dhe rënia e euros nuk janë reflektuar në uljen e çmimeve për qytetarët, Çakërri u përgjigj: “Është ulur euro se është forcuar leku.”
Por pikërisht kjo nuk ishte pyetja.
Askush nuk po kërkonte shpjegim pse euro ka rënë. Ajo që qytetarët duan të dinë është pse, nëse importuesit sot blejnë euron shumë më lirë se disa vite më parë, produktet në raftet e supermarketeve vazhdojnë të shiten pothuajse me të njëjtat çmime.
Në teori, një lek më i fortë ul koston e importeve. Shqipëria importon një pjesë të madhe të ushqimeve, ilaçeve, karburanteve, pajisjeve dhe lëndëve të para. Kjo do të thotë se për shumë biznese, blerja e mallrave nga jashtë kushton më pak në lekë sesa më parë. Në një treg që funksionon normalisht, një pjesë e këtij kursimi do të duhej të reflektohej edhe te konsumatori.
Në fund të ditës, qytetarit nuk i intereson sa kushton euroja në tabelën e këmbimit. Atij i intereson sa kushton shporta e pazarit. Dhe kjo ishte pyetja që u bë.
