Qeveria njoftoi sonte se ka lëshuar urdhër evakuimi dhe ka nisur procesin e largimit të nevojshën të banorëve në zonën Barabit–Lluban, Bashkia Krujë si pasojë e zjarreve. Në zbatim të Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës Barabit–Lluban, në Bashkinë Krujë.
Për realizimin e evakuimit po angazhohen mjetet dhe strukturat e Bashkisë Krujë, MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
Bashkia Krujë, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, tha se do të garantojë strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar, regjistrimin e tyre, sigurimin e nevojave bazë dhe asistencën shëndetësore.
