Nga Ola Xama
Prej vitesh Shqipëria është përfshirë nga diskutimet se çfarë e ka forcuar monedhën vendase kundrejt valutave.
Kryesisht debatet janë shtrirë në 3 çështje thelbësore: A dëshmon forcimi i monedhës rritjen ekonomike të vendit gjatë viteve të fundit? Cili është burimi i flukseve të shumta të monedhës euro në tregun vendas? Dhe kush ka përfituar nga kjo situatë? Le t’i analizojmë një për një.
Fillimisht le të japim një sqarim bazë për mënyrën se si funksion tregu i kursit të këmbimit në Shqipëri dhe si rregullohet ai.
Shqipëria ka zgjedhur që të ketë një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, bankat qëndrore të të cilave kanë në objektiv mbatjen e një kursi fiks, Banka e Shqipërisë ka si qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Pjesa më e madhe e bankave qëndrore në botë zgjedhin një nga të dyja:
të kontrollojnë nivelin e inflacionit ose vlerën e monedhës. Shqipëria ka zgjedhur të parën, kjo dhe për shkak të krizës inflacioniste që përfshiu vendin gjatë viteve 90’. Kjo do të thotë se instrumentat autoriteteve tona për të ndërhyrë në tregun e këmbimit valutor janë të pakta dhe mund të bëhen vetëm nëse ndryshimet në kurs kthehen në rrezik për stabilitetin e çmimeve.
Një dekadë më parë luhatjet në kursin e këmbimit valutor në Shqipëri ishin të rralla. Vlera e monedhave reflektonte ndryshimet në tregun ndëkombëtar dhe mbiçmimi ose nënçmimi i lekut nuk kishte diferencë të lartë.
Por që pas vitit 2015 euro nisi një rënie të pandalshme në tregun e këmbimit valutor. Që nga viti 2014, kur këmbëhej me 140 lekë, vlera e monedhës europiane në tregun vendas ka shkuar në 93 lekë, duke u zhvlerësuar me 33.5%. Trend të ngjashmë kanë mbajtur dhe monedhat e tjera, dollari, paundi britanik dhe franga zvicerane, të cilat ruajnë nivelin me euron, duke qënë se ajo ka paritetin në treg.
