15-vjeçari humbi jetën në aksident/ Dedikimi prekës i shkollës: “Zemër e thyer, boshllëk i madh në bankat…

Humbja e parakohshme e 15-vjeçarit Alvi Muhaxhiri, i cili u shua si pasojë e aksidentit tragjik të ndodhur gjatë natës, ka lënë pas një dhimbje të papërshkrueshme për miq, familjarë e të gjithë njerëzit e tij të afërm.

Shkolla ku ai kryente studimet ka bërë një dedikim prekës për të miturin, duke shkruar se ikja e tij e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh, ndërsa shpreh ngushëllime ndaj familjarëve për këtë tragjedi.

“Me hidhërim të thellë e zemër të thyer mësuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të nxënësit tonë të dashur Alvi Muhaxhiri. Ikja e tij kaq e shpejtë la një boshllëk të madh në bankat e shkollës sonë dhe në zemrat e të gjithë mësuesve e shokëve të tij.

Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Zoti ju dhëntë forcë për të përballuar këtë dhimbje të papërshkrueshme. Kujtimi dhe buzëqeshja e tij do të mbeten përherë të gjalla në shkollën tonë. U prehtë në paqe shpirti yt Alvi! “, thuhet në reagim.

Në aksidentin tragjik humbën jetën edhe çifti i sapomartuar, Kleo Vrioni dhe partnerja e tij italiane Sara Brugentelli. Të plagosur mbetën Rejsi Vrijoni, 25 vjeç, dhe Klevis Dervishi, 16 vjeç.