Del nga banesa dhe qëllohet me plumba/ 55-vjeçari shqiptar në spital

Një 55-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i plagosur pas një sulmi me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së hënës, në zonën e Patisias në Athinë. Ngjarja ka ndodhur pak para orës 05:00, në kryqëzimin e rrugëve Vroutou dhe Themou Anninou, sipas raportimeve të mediave greke.

Dy persona, të cilët lëviznin me një motoçikletë, i janë afruar 55-vjeçarit që sapo doli nga banesa dhe kanë qëlluar disa herë në drejtim të tij. Plumbat e kanë kapur në gjymtyrët e poshtme, duke e lënë të plagosur.

Pas sulmit, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa ende nuk ka të dhëna për identitetin e tyre.

Pamjet e dala në mediat greke tregojnë 55-vjeçarin të shtrirë përtokë, të mbuluar me gjak, pa rroba, vetëm me të brendshme.