“Do të bëhet film”/ Gazetarja: Arratisjet e Alket Rizait janë spektakolare, ka bërë gjëra të pazakonta

Gazetarja Aulona Kadillari deklaroi në emisionin “Now” në Euronews Albania se një regjisor francez pritet të realizojë një film për Alket Rizain dhe arratisjet e tij spektakolare nga burgjet greke.

Rizai, i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi për vrasje dhe tentativë vrasjeje, është bërë i njohur për arratisjet e tij me helikopter nga burgu.

Kadillari tha gjithashtu se, nga viti 2021 deri në vitin 2026, Rizait i janë dhënë 17 leje nga burgu, 16 prej tyre të posaçme. Sipas saj, fakti që ai ishte rikthyer në burg pas lejeve të mëparshme kishte ndikuar në fitimin e besimit të autoriteteve.

Ndërkohë, Rizai është përfshirë së fundmi në një përplasje me armë në një zonë plazhi në jug të Athinës, gjatë kohës që ndodhej me leje. Pas një konflikti në një lokal, dyshohet se janë shkëmbyer të shtëna dhe dy persona kanë mbetur të plagosur.

Ende nuk është përcaktuar se nga cila armë janë plagosur personat, ndërsa autoritetet greke vijojnë hetimet. Sipas verifikimeve paraprake, dyshohet se Rizai ka qëlluar në ajër dhe plumbat mund të kenë bërë rikoshet.

Rizai duhej të rikthehej në burg pas përfundimit të lejes, ndërsa mbetet e paqartë nëse largimi i tij lidhet me incidentin apo nëse kishte planifikuar të mos kthehej në burg.