Një skemë e re tarifimi për përdorimin e rrugëve kombëtare pritet të hyjë në fuqi në Shqipëri nga 1 janari 2027, nëse miratohet projektligji i depozituar në Kuvend. Nisma, e propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Andi Qose, parashikon heqjen e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin, e cila aktualisht është 27 lekë për litër,
dhe zëvendësimin e saj me një tarifë të re të njohur si vinjeta.
Përmes këtij ndryshimi synohet të riformatohet mënyra e financimit dhe tarifimit të përdorimit të rrjetit rrugor kombëtar, duke vendosur një detyrim të drejtpërdrejtë për automjetet që qarkullojnë në këto rrugë.
Kush do të paguajë vinjetën?
Sipas parashikimeve të projektligjit, skema e re do të përfshijë disa kategori automjetesh. Konkretisht, detyrimi për të paguar vinjetën do të zbatohet për:
- Automjetet e lehta;
- Autobusët;
- Mjetet e rënda të transportit të mallrave, deri më 31 dhjetor 2029.
Në këtë mënyrë, nëse projektligji miratohet, nga fillimi i vitit 2027 drejtuesit e automjeteve do të përballen me një sistem të ri tarifimi, ku pagesa nuk do të lidhet më drejtpërdrejt me sasinë e karburantit të konsumuar, por me skemën e vinjetës.
Sipas projektligjit, automjetet e regjistruara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të duhet të pajisen me vinjetë në momentin e hyrjes në vend. Kjo do të thotë se turistët dhe shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri me automjetet e tyre nuk do të jenë të detyruar të paguajnë një tarifë vjetore, por do të mund të zgjedhin periudhën që u nevojitet.
Tarifa do të ndryshojë në varësi të kategorisë së automjetit dhe kohëzgjatjes së vlefshmërisë.
Po automjetet me targa shqiptare?
Projektligji bën një dallim në mënyrën e pagesës për automjetet e regjistruara në Shqipëri. Për këto mjete, vinjeta vjetore parashikohet të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura, pa krijuar një procedurë të veçantë pagese.


