Dy ditë me mot të rrezikshëm/ Ja 6 qarqet që rrezikohen nga reshjet intensive…

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar për reshje mesatare deri në shumë intensive dhe shtrëngata në disa qarqe të Shqipërisë gjatë datave 12 dhe 13 nëntor. Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, situata meteorologjike kërkon vëmendje të shtuar, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave.

Gjatë pasdites së 12 nëntorit, reshjet pritet të përfshijnë qarqet Shkodër dhe Kukës, ku parashikohen reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata.

Ndërsa të premten, më 13 nëntor, moti i paqëndrueshëm pritet të vijojë në disa zona të vendit. Reshje intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje dherash

Si pasojë e reshjeve të dendura, në disa zona urbane mund të krijohen grumbullime të përkohshme të ujit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.

Ndërkohë, në zonat malore ekziston rreziku i vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të mundshme të dherave, ndaj kërkohet kujdes i shtuar nga banorët dhe drejtuesit e automjeteve.

Në kuadër të këtij paralajmërimi, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masat e nevojshme parandaluese, të monitorojnë zonat me risk dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje në rast emergjence.

Apel qytetarëve për kujdes

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj përmbytjeve, të shmangin kalimin në rrjedha ujore të rrezikshme dhe të ndjekin në vijimësi njoftimet zyrtare.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën me dije se po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën dhe po koordinon punën me strukturat përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe reagimin në kohë ndaj çdo situate të mundshme emergjente.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.