“Harroi” ta nxirrte nga burgu edhe pasi i mbaroi dënimi/ Prokurores i ulet paga 10% për 6 muaj…

Një i dënuar ka qëndruar pas hekurave më gjatë se afati ligjor, për shkak të një gabimi në përllogaritjen e kohës së vuajtjes së dënimit nga prokurorja Albjona Papajani. Prokurorja, e cila në kohën e ngjarjes ushtronte detyrën në Prokurorinë e Beratit, kishte lënë jashtë llogaritjes periudhën e paraburgimit që i dënuari kishte kryer në Greqi.

Për pasojë, personi ka vijuar të vuajë dënimin në Shqipëri edhe pasi afati ligjor kishte përfunduar.

Për këtë shkelje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi këtë të enjte masën disiplinore të uljes së pagës me 10% për një periudhë gjashtëmujore ndaj prokurores Papajani.

Hetimi nisi pas ankesës së Avokatit të Popullit

Procedimi disiplinor ndaj prokurores nisi pas një ankese të paraqitur nga Avokati i Popullit, lidhur me mënyrën e përllogaritjes së kohës së vuajtjes së dënimit.

Gjatë hetimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë konstatoi se prokurorja kishte neglizhuar në mënyrë të përsëritur detyrimet ligjore që lidhen me ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve.

Konkretisht, në përllogaritjen e dënimit nuk ishte përfshirë periudha e paraburgimit që personi kishte vuajtur në Greqi, një kohë që duhej të merrej në konsideratë për përcaktimin e saktë të afatit të dënimit.

Sipas ILD-së, kjo neglizhencë përbënte shkelje të rëndë disiplinore, pasi kishte cenuar drejtpërdrejt një të drejtë themelore të individit: lirinë personale.

ILD: Ekziston rreziku që shkelja të përsëritet

Në vlerësimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, raste të tilla nuk përbëjnë thjesht gabime administrative, por mund të sjellin pasoja të rënda për të drejtat e qytetarëve.

Sipas institucionit, neglizhenca në përllogaritjen e periudhave të paraburgimit dhe në ekzekutimin e vendimeve penale krijon rrezikun që situata të ngjashme të përsëriten edhe me persona të tjerë të dënuar.

Me vendimin e KLP-së, prokurores Albjona Papajani do t’i ulet paga me 10% për gjashtë muaj, si masë disiplinore për shkeljen e konstatuar.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.