Nga Kanadaja në Shqipëri për të ndarë lajmin e shtatzënisë, shqiptari përfundon në burg me 23 kg kanabis në valixhe

Një udhëtim nga Kanadaja drejt Shqipërisë, që duhej të ishte një vizitë familjare për të ndarë lajmin e pritjes së fëmijës së parë, u kthye në një makth për Kristian dhe Adriana Gjonin, një çift shqiptar që jeton në Toronto. Kristiani përfundoi në pranga në aeroportin e Rinasit, pasi në një valixhe që ai pretendon se nuk ishte e tij u zbuluan 23,15 kilogramë kanabis.

Çështja është bërë pjesë e një investigimi të televizionit kanadez CTV News, përmes emisionit W5, i cili ngre dyshime për një skemë të organizuar të ndërrimit të etiketave të bagazheve në aeroportin Pearson të Torontos.

Ngjarja ndodhi gjatë verës, kur çifti udhëtoi me një nga fluturimet e para direkte të Air Transat nga Toronto drejt Tiranës. Pas mbërritjes në Rinas, një punonjës dogane konstatoi se njërit prej katër bagazheve të tyre i mungonte etiketa identifikuese.

Pas rreth dy orësh e gjysmë ndalimi, Kristiani u shoqërua në zonën e bagazheve dhe iu kërkua të merrte një valixhe të mbetur aty. Ai këmbënguli se nuk ishte e tij, por kontrolli zbuloi brenda saj 23,15 kilogramë kanabis, me një vlerë të përllogaritur nga autoritetet shqiptare në afro 400 mijë dollarë kanadezë.

Dyshimet për ndërrimin e etiketave të bagazheve

Sipas investigimit të W5, dyshohet se persona me akses në zonat e bagazheve në aeroportin Pearson heqin etiketat origjinale nga valixhet e udhëtarëve dhe i vendosin ato në bagazhe të tjera që përmbajnë drogë. Në këtë mënyrë, lënda narkotike mund të transportohet në emër të një pasagjeri që nuk ka dijeni për përmbajtjen e valixhes.

Ironikisht, Kristian dhe Adriana kishin ndjekur më herët një investigim të ngjashëm dhe kishin fotografuar bagazhet dhe etiketat përpara dorëzimit në aeroport. Megjithatë, sipas Kristianit, ky veprim u konsiderua i dyshimtë nga autoritetet shqiptare.

Pas arrestimit, ai qëndroi katër ditë në izolim, në një qeli pa dritare. Ndërkohë, bashkëshortja e tij Adriana u dërgua në spital për shkak të dhimbjeve të forta abdominale.

Çifti humbi edhe fëmijën e parë

Në momentin e udhëtimit, Adriana ishte shtatzënë, por fillimisht ekzaminimet nuk e konfirmuan këtë. Analizat e mëvonshme të gjakut vërtetuan shtatzëninë, por gruaja kishte pësuar abort spontan.

Dokumentet mjekësore nga spitalet në Shqipëri dhe Toronto, të shqyrtuara nga W5, konfirmojnë shtatzëninë dhe humbjen e saj. Kristiani beson se stresi i shkaktuar nga arrestimi dhe gjithë situata ndikuan në humbjen e fëmijës.

RCMP dyshon se shqiptari ishte viktimë e ndërrimit të etiketave

Një zhvillim i rëndësishëm lidhet me verifikimet e Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP). Sipas dokumenteve të siguruara nga CTV News, autoritetet kanadeze kanë konfirmuar se çifti kishte dorëzuar për transport vetëm katër bagazhet e veta.

Në një komunikim gjatë muajit tetor, një oficer i RCMP-së i shkruante Kristianit se institucioni besonte se ai mund të kishte qenë viktimë e ndërrimit të etiketës së bagazhit.

Pas paraqitjes së provave nga avokati i tij, Ndue Pjetra, Kristiani u lirua nga burgu me kusht dhe është kthyer në Toronto. Megjithatë, ai duhet të paraqitet periodikisht pranë autoriteteve shqiptare, tashmë një herë në katër muaj.

Edhe kompania ajrore Air Transat ka deklaruar se i merr seriozisht pretendimet për ndërhyrje në sistemin e bagazheve dhe se ka bashkëpunuar me autoritetet përkatëse.

Procesi gjyqësor ndaj Kristian Gjonit pritet të nisë në fillim të vitit 2027./DailyMail

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.