Familjet shqiptare shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave për ushqime, krahasuar me familjet në Bashkimin Europian. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë qartë diferencën në nivelin e mirëqenies dhe strukturën e konsumit familjar.
Sipas INSTAT dhe Eurostat, 39.8% e buxhetit të familjeve shqiptare shkon për ushqime dhe pije joalkoolike, ndërsa mesatarja në Bashkimin Europian është vetëm 13.2%.
Ky ndryshim shpjegohet edhe nga ligji i Engel-it, sipas të cilit, sa më shumë të ardhura të ketë një familje, aq më e vogël bëhet pjesa e buxhetit që shpenzohet për ushqime.
Europianët shpenzojnë gati trefish më shumë për argëtim dhe kulturë. Në Shqipëri kjo kategori zë vetëm 2.8% të buxhetit familjar, kundrejt 7.7% në BE.
Diferenca vihet re edhe në kategori të tjera:
- Transport: 7.2% në Shqipëri, kundrejt 12.5% në BE.
- Restorante dhe akomodim: 7.5% në Shqipëri, kundrejt 9.5% në BE.
- Shëndetësi: 3.4% në Shqipëri, kundrejt 4.5% në BE.
- Veshje dhe këpucë: 5% në Shqipëri, kundrejt 4.1% në BE.
- Arsim: 3.3% në Shqipëri, kundrejt 0.9% në BE.
Shqiptarët shpenzojnë proporcionalisht më shumë edhe për mobilimin dhe pajisjet shtëpiake, si dhe për alkoolin dhe duhanin.
Këto shifra tregojnë se, pavarësisht rritjes së të ardhurave dhe aspiratave për integrim europian, familjet shqiptare vazhdojnë të kenë më pak hapësirë financiare për argëtim, udhëtime dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.
Diferenca me Europën nuk matet vetëm me paga, por edhe me mënyrën se si familjet arrijnë t’i përdorin të ardhurat e tyre. /Monitor

