Loris Qose fiton medaljen e 12-të ndërkombëtare, këtë herë të artë në ASEF 2026

Një tjetër sukses i rëndësishëm ndërkombëtar i shtohet karrierës së nxënësit nga Cërriku, Loris Qose, i cili ka fituar medaljen e 12-të, këtë herë të artë, në kompeticionin ndërkombëtar ASEF 2026.

Qose është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Gold Award” në kategorinë Histori–Gjeografi, falë projektit kërkimor me titull “Harmonia e Kozmosit: Arkitektura Hapësinore dhe Mekanika Orbitale e Sistemit tonë Diellor”.

Pas shpalljes së rezultatit, nxënësi ka ndarë emocionet dhe mirënjohjen për këtë arritje, duke falënderuar mbikëqyrësen e projektit, Denada Canaj, akademiket Mimoza Hafizi dhe Elisabeta Peti, si dhe mësuesen e matematikës, Flutura Hoxholli, për mbështetjen dhe kontributin e tyre gjatë realizimit të projektit.

Nxënës i shkollës “7 Marsi” në Cërrik, Loris Qose ka dëshmuar vazhdimisht talentin dhe përkushtimin e tij në kompeticionet ndërkombëtare. Më herët, ai është shpallur fitues i vendit të parë në Matematikë dhe vendit të tretë në Kimi në olimpiadën “Neo Science Olympiad”, e zhvilluar në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Medalja e 12-të ndërkombëtare përbën një tjetër arritje të jashtëzakonshme për të riun nga Cërriku, duke konfirmuar pasionin, këmbënguljen dhe talentin e tij në fushën e dijes dhe kërkimit shkencor.

Suksesi i Loris Qoses është një krenari për shkollën, qytetin e Cërrikut dhe arsimin shqiptar, si dhe një shembull frymëzues për të rinjtë që synojnë të përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.