“Kam rrënjët arbëreshe”/Surprizon kryeministri i Australisë Anthony Albanese

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka folur për lidhjet e tij të mundshme me Shqipërinë dhe rrënjët arbëreshe të familjes, gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar në Parlamentin australian.

Në aktivitetin e titulluar “Miqtë shqiptarë të Parlamentit”, ku ishin të pranishëm ambasadori shqiptar në Canberra dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-australian, Albanese ndau disa detaje mbi prejardhjen familjare.

“Diku në të kaluarën time, pa dyshim që kam një lidhje shumë të drejtpërdrejtë me Shqipërinë”, u shpreh kryeministri australian, duke iu referuar lidhjeve të tij me komunitetin arbëresh.

Babai i tij, Carlo Albanese, ishte marinar dhe vinte nga qyteti i Barlettës, në rajonin e Pulias, në jug të Italisë. Kjo zonë dhe territoret përreth kanë lidhje historike me praninë e komuniteteve arbëreshe, pasardhës të shqiptarëve që u vendosën në Itali ndër shekuj.

Deklarata e kryeministrit australian ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shqiptar, pasi arbëreshët përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe trashëgimisë shqiptare, duke ruajtur ndër breza gjuhën, traditat dhe identitetin e tyre.

Fjalët e Albanese në Parlamentin australian rikthejnë në vëmendje lidhjet historike dhe kulturore mes shqiptarëve dhe Italisë, si dhe praninë e komunitetit shqiptaro-australian, i cili vazhdon të kontribuojë në jetën shoqërore dhe kulturore të Australisë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.