Pas viteve të drejtimit nga Sotiraq Filo, Korça përballet me pikëpyetje të forta për të ardhmen e saj politike. Rënia e popullsisë, kritikat ndaj administrimit të bashkisë dhe pakënaqësia e një pjese të opinionit publik po rikthejnë në qendër të debatit nevojën për një emër të ri, jashtë rrethit të funksionarëve të konsumuar nga pushteti.
A do të ndryshojë këtë herë drejtimi i Bashkisë së Korçës, apo qytetarët do të përballen sërish me të njëjtët emra, të ricikluar në pozicione të reja?
Në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, kjo është një nga pyetjet që po qarkullon në diskutimet publike në Korçë. Pas një periudhe të gjatë drejtimi nga Sotiraq Filo, një pjesë e qytetarëve kërkon jo thjesht një ndryshim emri, por një ndryshim real në mënyrën se si drejtohet qyteti.
Ajo që e bën debatin edhe më të fortë është bilanci demografik. Sipas Censusit të INSTAT-it, Bashkia Korçë kishte 60.754 banorë në vitin 2023 …pra rrenie prej 16 mije banoresh brenda dekades se qeverisjes Filo. Të dhënat e censit të mëparshëm tregojnë një rënie të ndjeshme të popullsisë, çka e kthen largimin e banorëve në një nga sfidat më të mëdha të qytetit.
Pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë:
çfarë nuk ka funksionuar që Korça po përballet me një tkurrje të tillë demografike? Ku janë politikat që duhej të krijonin vende pune, të mbanin të rinjtë dhe t’u jepnin familjeve arsye për të mos u larguar?
Një tjetër çështje që rëndon mbi debatin publik janë raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në auditimin , KLSH evidentoi shkelje dhe mangësi në procedurat e prokurimit të Bashkisë Korçë, përfshirë përdorim pa efektivitet të fondeve publike dhe dëm ekonomik të konstatuar. Këto gjetje kërkojnë përgjegjësi dhe transparencë institucionale, pa paragjykuar përgjegjësinë individuale të personave të përfshirë.
QYTETARËT KËRKOJNË NJERËZ TË RINJ, JO RICIKLIM FUNKSIONARËSH
Në komentet dhe diskutimet që shoqërojnë zhvillimet politike në Korçë, një kërkesë duket se përsëritet: bashkia nuk duhet të jetë një stacion i radhës për funksionarë që kanë mbajtur më parë poste të rëndësishme në administratën vendore apo në institucione të tjera.
Një pjesë e opinionit publik kërkon figura të reja, njerëz që nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjeve të vjetra dhe që nuk mbartin mbi supe pakënaqësitë e krijuara nga administrimi i mëparshëm.
Nuk mjafton të ndërrohet emri në derën e zyrës së kryetarit, nëse pas tij qëndrojnë të njëjtat interesa, të njëjtat rrethe ndikimi dhe e njëjta mënyrë funksionimi.
Korça ka nevojë për njerëz që të mos e shohin bashkinë si pronë politike, por si institucion në shërbim të qytetarëve. Për kandidatë që të japin llogari, të jenë transparentë dhe të mos kenë frikë nga kontrolli mbi çdo lek të taksapaguesve.
A DO TË NDRYSHOJË VËRTET DORA KËTË HERË?
Partia Socialiste përballet me një zgjedhje të rëndësishme: të mbështesë sërish emra të njohur të strukturave të saj apo të hapë rrugën për një figurë të re, jashtë rrethit të funksionarëve që kanë ushtruar pushtet.
Në diskutimet për të ardhmen e bashkisë është përmendur edhe mundësia e një kandidateje grua, e cila do të thyente traditën e drejtimit nga burrat. Por, pavarësisht gjinisë apo emrit, sfida kryesore mbetet profili dhe integriteti i kandidatit.
Korça nuk ka nevojë për një tjetër emër që të trashëgojë karrigen. Ka nevojë për një drejtim që të ndryshojë realisht raportin me qytetarët.
Hiq një, vendos një tjetër, apo ndrysho përfundimisht mënyrën e qeverisjes? Kjo është dilema që pritet të shoqërojë garën për Bashkinë e Korçës.
