17-vjeçari u gjobit me 5 milion lekë për protestën, Gjykata ndalon Policinë t’i marrë paratë.

Gjykata Administrative e Tiranës ka pezulluar ekzekutimin e gjobës prej 500 mijë lekësh ndaj 17-vjeçarit Erind Goçllari, i ndëshkuar nga Policia për pjesëmarrjen në protestë. Vendimi u mor më 24 nëntor dhe do të jetë në fuqi deri në përfundimin e gjyqit për ligjshmërinë e gjobës.

Avokati i të miturit, Ledio Braho, bëri të ditur për Citizens.al se kishte kërkuar si anulimin e gjobës, ashtu edhe pezullimin e saj gjatë procesit gjyqësor. Gjykata pranoi kërkesën e dytë, duke ndaluar Policinë që të kërkojë pagesën deri në një vendim përfundimtar.

Sipas Brahos , çështja ngre pikëpyetje mbi ligjshmërinë e gjobitjes së personave nën 18 vjeç. Ai pretendon se ligji për kundërvajtjet administrative nuk parashikon vendosjen e gjobave ndaj të miturve.

Avokati zbuloi gjithashtu se raste të tjera të ngjashme po shfaqen. Një 16-vjeçar, sipas tij, është gjobitur me 500 mijë lekë dhe dy gjoba të tjera prej 5 mijë lekësh. Ai theksoi se kundërshtimi i gjobave bëhet më i vështirë për shkak të procedurave që kërkojnë edhe firmën e prindërve.

Si u vendosën gjobat ndaj protestuesve?

Masat lidhen me ndryshimet ligjore të miratuara nga qeveria më 29 tetor, përmes Aktit Normativ nr. 5 dhe akteve të tjera që ndryshuan ligjin për tubimet.

Rregullat e reja i japin Policisë mundësinë të ndalojë protestat pranë institucioneve shtetërore, shkollave dhe spitaleve deri në 72 orë, kur vlerëson se ekziston rrezik për dhunë ose dëme të rënda. Gjithashtu, parashikohen zona të mbrojtura dhe gjoba që mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë.

Sipas avokatit, të miturit e gjobitur vijnë nga familje në kushte të vështira ekonomike. Ndërkohë, procesi gjyqësor për anulimin e gjobës ndaj Erind Goçllarit vijon, ndërsa vendimi i 24 nëntorit pezullon vetëm pagesën deri në përfundimin e çështjes.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.