150 abonentë pa drita në Maliq, ja cilat zona janë prekur nga defekti!

Rreth 150 abonentë në zonat e Pirgut dhe Zotilanit, në bashkinë e Maliqit, kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e një defekti të regjistruar në rrjetin e shpërndarjes. Sipas informacionit të Dispeçerisë Rajonale të OSHEE-së në Korçë, problemi është shkaktuar nga një defekt në fiderin nr. 11 të Pirgut, në nënstacionin e Petrushës.

Për pasojë, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në kabinat Pirg 3 dhe Zotilan, duke prekur rreth 150 abonentë familjarë dhe të tjerë konsumatorë në këto zona.

Menjëherë pas konstatimit të defektit, grupet e avarisë së OSHEE-së kanë dalë në terren dhe po punojnë për identifikimin e problematikës dhe riparimin e saj, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike për banorët e prekur.

Ndërkohë, OSHEE bën me dije se fiderat që furnizojnë konsumatorët e rëndësisë së veçantë vijojnë të jenë në funksion, duke mos u prekur nga kjo ndërprerje.

Ende nuk është bërë e ditur një orar i saktë për rikthimin e energjisë elektrike, ndërsa puna në terren vijon për normalizimin e situatës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.