Voskopoja plot me borë e me miq

 

Voskopoja keto ditë është zbardhur nga dëbora duke na dhuruar një pejsazh shumë relaksues.Megjithëse temperaturat kanë qenë të ulëta Voskopoja ka mikpritur sot,diten e djele,mjaft turistë e vizitorë nga qytete të ndryshme të vendit të cilët e kanë zgjedhur krahinën e njohur kësaj radhe kryesisht për shkak të dëborës.

Rruga nga Korça e deri në Voskopojë është e kalueshme normalisht, ndoshta për këtë frekuentuesit kanë qenë të shumtë. Ata kanë shijuar bukuritë e natyrës, por edhe kulinarinë. Kanë qenë të shumtë jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit që luanin me topa bore, por nuk kanë munguar edhe shëtitjet në rrugicat e fshatit për të shijuar natyrën e duke sfiduar kështu të ftohtin.
Bujtinat e hotelet në Voskopojë në çdo fundjavë janë të mbushura plot.
Në fakt Voskopoja në çdo stinë të vitit tërheq vizitorë e turistë të shumtë vendas e të huaj. Sa për bukuritë që ofron ky fshat aq edhe për mikpritjen e kulinarinë tradicionale. Ata që e kanë vizituar njëherë Voskopojën e kanë të pamundur të mos rikthehen përsëri.

Dëbora, shëtitjet në mal, si dhe gatimet tradicionale pranë një sobe me dru, e më pak skitë, mund të jenë një zgjidhje për pushimet e dimrit.

Dardha dhe Voskopoja janë dy prej fshatrave më të bukur dimërorë ku çdokush e çon mendjen vetvetiu kur mendon për dëborën. Gërshetuar me traditën, historinë dhe bukuritë që edhe dimrit mund të shijohen shumë, me mikpritjen karakteristike, Dardha dhe Voskopoja ofrojnë gjithashtu kuzhinën e mrekullueshme e të veçantë, zahiretë e pafundme të dimrit dhe byrekët e gatuar nga amvisat dardhare e voskopojare. Por këto dy fshatra fare pranë Korçës, mund t’ju ofrojnë gjithashtu edhe kënaqësinë e skive në pista ndoshta jo fort të pajisura me komoditetin e resorteve të mëdha por që gjithsesi do t’ju falin kënaqësi.

Meteorologët parashikojnë se jo vetëm kjo fundjavë, por edhe java që vjen do të nisë me reshje shiu dhe dëbore në zonat malore, ndërkohë që temperaturat do të jenë të ulëta.

Advertisement