Dejvi Bregu, është një nga pistat më të nxehta të merkatos te Skënderbeu. Shitja e talentit vlonjat do t’i bënte punë klubit,nëse do të siguronte të ardhura të konsiderueshme. Kontrata e Bregut me Skenderbeun skadon në muajin maj, teksa drejtuesit e klubit bardhekuq, nuk duan ta humbasin futbollistin me parametra zero.
Për këtë arsye, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, dhe stafi i tij, janë duke bërë çmos për të mbyllur brenda shkurti shitjen e Bregut.
Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije se pista ruse për transferimin e lojtarit ka rënë. Oferta që korçarët prisnin nga rusët nuk erdhi asnjëherë dhe për pasojë kalimi ngriu përfundimisht. Ndërkohë së fundmi, në një prononcim për “RTSH”, Bregu shprehet se të ardhmen ia ka lënë në dorë presidentit Takaj:
“Kemi biseduar për situatën time. Ja kam lënë në dorë presidentit. Kemi një raport shumë të mirë dhe besoj se do i japë ai zgjidhje. Nuk mund të jap emra sepse siç e thashë është në dorë të presidencës”, u shpreh Bregu.

Për sa i përket ecurisë të Skënderbeu, 24-vjeçari ka dekluar:
E kemi nisur mirë vitin 2020, përveç rezultateve në këto tre ndeshjet e fundit, duke filluar me Laçin, ku kemi dominuar në lojë, por nuk kemi marrë rezultat. Ajo që kërkohet është vazhdimësia e lojës dhe më pas besoj se rezultatet do të vijnë. Kemi kuptuar gabimet e dy fazave të para dhe kjo ka qenë gjëja më kryesore në këtë ndryshim drastik në këtë vit 2020.
Ndeshja me Teutën është shumë e vështirë. Ata janë një ekip shumë serioz dhe kompakt. Besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja palët. Do të hyjmë të mobilizuar dhe të bindur për fitore”, përfundoi ylli i Skënderbeut.
