Bregu në “Zona Gol”: Skënderbeu dominant me kryesuesit, të ardhmen e zgjedh…

Dejvi Bregu ishte i ftuari i gazetarit Glend Tafaj në “Zona Gol”, ku sulmuesi i Skënderbeut komentoi formën që po kalon, garën e kampionatit e sigurisht të ardhmen e tij. E nisi me dygolëshin e shënuar në fitoren 3-2 ndaj Teutës.

“Ishte fitore e rëndësishme, ky trepikësh na ndihmon psikologjikisht, tregon vazhdimësinë e ndeshjeve të mira.”

Sakrificë pa Europën: Normalisht na vjen inat, sakrifikojmë, jemi larg shtëpive e familjeve, vijmë këtu për shkak të profesionit, nuk është serioze që na thonë pse luani. E ndiejmë edhe në stadium nga tifozët apo edhe nga kundërshtarët, nuk është korrekte që të ndodhin këto gjëra.

Trajneri Daja: Pa dyshim që është ndër më të mirët e të cilët kam punuar, desha ta falënderoj dhe e ndiej veten që jam rritur nën urdhrat e tij.

E ardhmja: Presidenti më ka thënë se deri në fund të shkurtit do të presim, se nuk i dihet se cila është oferta më e mirë për klubin apo për mua. Më janë thënë disa, por do të zgjedhim më të mirën për klubin dhe për mua.

Skënderbeu, i fortë me të mëdhatë: Në ndeshjet me Tiranën, Partizanin e Kukësin, motivimi është më i madh, se na shohin si inferiorë dhe nuk është e drejtë. Me Jashanicën e Muzakën mund të ishim për vend të parë. Duke parë cilësitë në ekip, stafin teknik, ambientin në klub, ku çdo gjë është perfekte, besoj se Skënderbeu mund të luftonte në të dy fronte. Ky Skënderbe as që e mendon vendin e 8-të, mund të luftojë për Kupën e Shqipërisë.

Vendimi nga Gjykata Federale: Ne përgatitemi 100% për çdo ndeshje, pavarësisht çdo vendimi nga Zvicra. Presidenti na ka thënë që me të po merret klubi e ju duhet të përqendroheni në stërvitje e ndeshje. Nëse do të vijë një vendim që nuk ia uroj kurrë Skënderbeut, do të ishte një disfatë shumë e rëndë për kampionatin shqiptar.

Kombëtarja: Është ëndrra e çdo shqiptari. Kulmin e arrin me veshjen e fanellës kuqezi. Që në hapat e para të karrierës është ëndrra më e madhe. Por këto vendosen nga të tjerë njerëz, koha do të tregojë nëse do ta arrij ta realizoj.

Luftëtari e Flamurtari, të rënë: Keqardhje shumë e madhe, është zemër e ndarë më dysh, duke parë situatën me Flamurtarin e Luftëtarin, që më kanë dhënë shumë e më kanë rritur profesionalisht. E vuaj këtë situatë si të isha vetë në Vlorë apo Gjirokastër.

Gara për titull: Të them të drejtën, kemi luajtur me të tre kryesuesit dhe i kemi dominuar. Tirana këto ndeshje ka shfaqur karakter dhe lojë, Kukësi ka një nga sulmet më të frikshme të kampionatit ku janë 3 shokë të mi dhe Partizani ngelet kampion që nuk besoj se do të heqë kollaj dorë nga gara”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.