RROBAQEPËSJA KORÇARE NË GREQI BËN 600 MASKA FALAS PËR PERSONELIN SHËNDETËSOR

Elona Agolli është një emigrante shqiptare në Greqi e cila ka bërë dhe dhuruar 600 maska mbrojtëse për personelin shëndetësor.Ajo ka vite që jeton bashkë me familjen e saj në Grevena, qytet i vogël në veri të Greqisë dhe shteti i kërkoi ndihmë.

Agolli zotëron një dyqan rrobash me emrin ‘’Elona’s fashion’’ në qytetin verior grek dhe nuk u mendua dy herë për të ndihmuar Greqinë e cila po përjeton një situatë të vështirë me koronavirusin pas 28 viktimave dhe 966 të rasteve të prekura.

Por gjesti i Elona Agollit nuk ka kaluar pa u vënë re pasi një prej mediave greke Vatolakkiotis e ka publikuar lajmin dhe ka shkruar ‘’ BRAVO është më e pakta që mund t’i them kësaj zonje … Për sa i përket përfitimit të shëndetit …, gjestet si ajo e Elonës na tregojnë anën tjetër të medaljes.”- tha Elona Agolli.

Letër nga Italia: Të dashur britanikë, ja çfarë dimë për të ardhmen tuaj!

Nga Francesca Melandi*

Po ju shkruaj nga Italia, po ju shkruaj pra, nga e ardhmja juaj. Ne jemi tash aty ku do të jeni ju pas disa ditësh. Lakore e epidemisë na shfaqin të përqafuar në një vallëzim paralel në të cilin ne jemi nja dy hapa para jush në kohë, bash siç ishte Wuhani para nesh disa javë më parë. Ju shohim tek silleni sikurse silleshim ne.

I bëni të njëjtat debate si ne jo shumë kohë më parë, mes atyre që ende thonë “krejt kjo zhurmë për diçka që është pak më shumë se një grip”, dhe atyre që e kanë kuptuar tashmë. Nga këtu, nga e ardhmja juaj, ne e dimë se kur t’ju thonë të rrini mbyllur në shtëpi, ndonjëri do të citojë Foucault, e mandej Hobbes. Po pak pas kësaj do të keni punë të tjera. Si punë e parë, do të hani.

Dhe jo vetëm sepse gatimi është një nga gjërat e pakta që do të mund të bëni. Në rrjetet sociale do të lindin grupe që do të japin ide mbi mënyrën se si mund ta kalojmë kohën me punë të dobishme dhe në mënyrë konstruktive; do të anëtarësoheni te secili nga ato grupe, e mandej, pak ditë më vonë, do t’ju vijë në majë të hundës. Do ta nxirrni nga rafti La Peste të Camus (Murtaja nga Albert Camus, shën. i përkth.), por do ta shihni se nuk keni aq dëshirë për t’lexuar.

E prapë do të hani.

Do të flini keq.

Do të përsiateni mbi të ardhmen e demokracisë.

Do të keni një alamet jete shoqërore, mes koktejeve në chat, takimeve në grup në Zoom, darkave në Skype.

Do t’ju mungojnë si kurrë më parë fëmijët tuaj të rritur dhe do t’ju mblidhet një lëmsh në stomak kur, për herë të parë që kur nuk jetojnë më me ju, nuk e dini kur do t’i shihni prapë.

Shamatat e vjetra e inatet e shkuara do t’ju duken krejt të pavlera. Do të thirrni në telefon për të parë si janë edhe njerëz që jeni betuar se s’do t’i takoni kurrë.

Shumë gra do të rrihen në shtëpitë e tyre.

Do ta pyesni veten si ia bëjnë ata që s’mund të rrinë në shtëpi, sepse nuk kanë, shtëpi.

Nuk do të ndiheni të sigurt kur të dilni për të bërë pazar në rrugët e boshatisura, sidomos nëse jeni grua. Do ta pyesni veten nëse bash kështu rrënohen shoqëritë, nëse ndodh po kaq shpejt, do ta ndaloni veten të mendoni kështu.

Do të ktheheni në shtëpi, e do të hani. Do të shtoni peshë.

Do të kërkoni në Internet video fitnesi.

Do të qeshni, shumë do të qeshni. Do të dalë njëfarë humori i zi, sarkastik, për ta vrarë veten.

Edhe ata që marrin gjithçka seriozisht do ta kuptojnë plotësisht pakuptimësinë e jetës.

Do të lini takim në radhën para dyqaneve, për të takuar ndonjë mik – por në një distancë sigurie.

Gjithçka që nuk ju është e nevojshme do t’ju bëhet e qartë.

Do t’ju shpërfaqet e pastër si loti natyra e njerëzve përreth jush: do të keni po aq vërtetime sa edhe befasi.

Alamet intelektualësh që deri dje kanë dhënë mend për gjithçka, nuk do të kenë më gjë për të thënë dhe do të zhduken nga mediet, disa do të strehohen nën dofarë abstraksionesh të mençura, pa pikë empatie, anipse nuk do t’i dëgjoni më.

Njerëz që i keni nënvlerësuar do të dëshmohen përkundrazi pragmatikë, shpresëdhënës, të qëndrueshëm, zemërgjerë, largpamës.

Ata që bëjnë thirrje për ta konsideruar gjithë këtë si një rast të mirë për rilindje planetare do t’ju ndihmojnë t’i shihni gjërat më thellë, por do t’ju lodhin gjithashtu: planeti merr frymë falë zvogëlimit të lirimit të CO2, e ju, në fund të muajit, si do t’i paguani faturat e gazit e të rrymës? Nuk do ta kuptoni dhe aq qartë nëse të qenit ende aty kur të lindë bota e së nesërmes është një gjë madhështore apo mjerane.

Do të bëni muzikë në ballkone. Tek i keni parë videot ku ne këndonim opera, keni thënë me vete “Ah! Italianët”, por ne, ne e dimë që edhe ju do ta këndoni Marsejezën (Himni kombëtar francez, shën. i përkth.). E kur edhe ju nga dritaret do të lëshoni I Will Survive, ne, ne do t’ju shikojmë duke pohuar me kokë, sikur na kanë shikuar ata nga Wuhani, ku këndonin nga ballkoni në shkurt.

Shumë njerëz do të bien në gjumë me mendimin se gjëja e parë që do të bëjnë pasi të kenë dalë jashtë do të jetë divorci. Shumë fëmijë do të ngjizen.

Fëmijët tuaj do të ndjekin mësimet online, do të bëhen të padurueshëm, do t’ju falin gëzim. Ata më të rriturit nuk do t’ju binden, siç sillen adoleshentët: fytas do të shkoni me ta që mos të dalin jashtë, ta marrin virusin e të vdesin. Do të mundoheni të mos e çoni mendjen tek ata që në spital vdesin të vetmuar. Do t’ju vijë t’u hidhni petale trëndafilash mantelbardhëve.

Do t’ju thonë se sa e bashkuar është shoqëria në këtë përpjekje të përbashkët dhe se të gjithë jeni në të njëjtën varkë. E vërtetë do të jetë. Kjo përvojë do ta ndryshojë përgjithmonë perceptimin tuaj mbi individin. Megjithatë, përkatësia klasore do ta bëjë një dallim të madh. Mes të qenit i mbyllur në një shtëpi me verandë e kopsht dhe në një ndërtesë të shtresës së ulët e të mbipopulluar: jo, nuk është bash njësoj.

E nuk është njësoj as të punosh nga shtëpia apo të shohësh sesi po e humb punën. Kjo varkë në të cilën do të jeni krejt bashkë për ta mundur epideminë nuk do të duket të jetë e njëjta për të gjithë, sepse nuk është dhe nuk ka qenë kurrë.

Vjen një çast kur do ta kuptoni që, në fakt, nuk është hiç e lehtë. Do të keni frikë. Do ta ndani frikën me njerëzit e dashur, ose do ta mbani ankthin për vete, për të mos ua ngarkuar atyre. Do të hani prapë.

Ja çka po ju themi nga Italia mbi të ardhmen tuaj. Por kjo është një profeci shumë e afërt, pakditëshe. Po ta hedhim shikimin mbi të ardhmen e largët, që është e panjohur si për ju, si për ne, atëherë nuk mund t’ju themi veçse një gjë: kur krejt kjo të ketë mbaruar, bota nuk do të jetë më si më parë.

*Shkrimtare italiane

Ekipi i mjekëve shqiptarë mbërrin në Itali, ministri i jashtëm Di Maio: Një arsye e fortë që Shqipëria të hyjë në BE. Fryma e solidaritetit

30 mjekë e infermierë Shqiptarë u nisën drejt Bergamos, në vijën e parë të frontit për të ndihmuar kolegët atje përballë koronavirusit. Mes tyre ndodhet edhe infermierja Korçare Suela Horanlli.

Suela Horanlli

Ministri i Jashtëm i Italisë, Luiggi Di Maio thotë se solidarizimi i treguar nga vendi ynë me Italinë, duke i dërguar një grup mjekësh për të luftuar me virusin vdekjeprurës COVID-19, është një arsye e fortë që Shqipëria të futet në Bashkimin Europian.

Di Maio shprehet se fryma jonë e solidaritetit dhe afërsia që po tregojmë me italianët është pikërisht ajo vlerë e përbashkët që krijoi Bashkimin Evropian

Solidariteti i shfaqur tregon një tjetër arsye të fortë që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.
Fryma e tyre e solidaritetit dhe afërsia që po tregojnë me këta njerëz këtu është pikërisht ajo vlerë e përbashkët që krijoi Bashkimin Evropian.” Luigi Di Maio, Ministër i Jashtëm i Italisë.

Koronavirusi në Itali/ Shkon në 10,023 numri i të vdekurve, vendosen rregullat e reja për të hyrë në vend

Sipas të dhënave të publikuara nga Mbrojtja Civile sot numri i personave që rezultuan pozitivë me koronavirus ishte 3,651 (dje ishin 4,401 raste të reja), ndërsa janë regjistruar në 24 orët e fundit 889 vdekje (969 një ditë më parë), dhe janë 1,434 të shëruara në krahasim me 589 të premten. Numri i të vdekurve në total i ka kaluar 10,023 njerëz.

Që nga nisja e epidemisë në Itali janë prekur 92,472 njerëz të konfirmuar.

Situata në Lombardi

Rajoni i Lombardisë së Italisë, i cili po përballon më të keqen nga infeksioni i koronavirusit, regjistroi 542 vdekje të reja të shtunën, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 5,944 viktima vetëm në këtë rajon. Qeveria kombëtare thuhet se po shqyrton planet për të zgjatur një bllokim të tërë vendit deri në mes të prillit. Numri i rasteve në rajon u rrit me rreth 2,117 të reja, me 39,415 infeksione të konfirmuara në total.

Veneto, testimi i ilaçeve në shtëpi

Veneto, me autorizim nga Aifa, do të fillojë administrimin e hershëm të ilaçeve simptomatike kundër Covid-19 (të tilla si Clorochina, Hidroksiclorochina, dhe anti-reumatizoidet) tek pacientët simptomatikë direkt në shtëpi. Këtë e bëri të ditur guvernatori i Venetos. Qëllimi është të “ngadalësojmë sëmundjen dhe të shmangim shtrimin në spital”.

Një milion ndërhyrje u shtynë

“Të paktën një milion shtrime në spital janë shtyrë për shkak të pandemisë në katër muaj, duke përfshirë mbi gjysmë milioni për kirurgji jo urgjente, duke filluar nga zëvendësimi i protezës për hernien, deri te operacionet dermatologjike”. Americo Cicchetti, drejtor i Shkollës së Lartë të Ekonomisë dhe Menaxhimit të Sistemeve Shëndetësore të Universitetit Katolik të Romës, ngriti alarmin për “pasojat e rënda në listat e pritjes për tërë vitin 2020 dhe më gjerë”.

Rregulla të reja për hyrjen në Itali

Nga sot hyjnë në fuqi dispozita të rrepta për ata që hyjnë në Itali me transport ajror, detar, hekurudhor ose tokësor dhe masa organizative, përfshirë detyrimin që transportuesit të sigurojnë maska për pasagjerët dhe ekuipazhi të përdorë pajisje mbrojtëse. Urdhri i aprovuar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit Paola De Micheli dhe Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza gjithashtu parashikon matjen e temperaturës së udhëtarëve që vijnë.

Kushdo që arrin në territorin kombëtar italian duhet të japë një dorëzojë një deklaratë që, në mënyrë të qartë dhe të detajuar, specifikon arsyet e udhëtimit, adresën e plotë të shtëpisë ose vendbanimit në Itali, ku do të kryhet periudha e mbikëqyrjes shëndetësore dhe izolimit në besim, automjeti privat ose mjetit që do të përdorë për të shkuar në destinacion atë dhe një numër telefoni celular ku të kryhet komunikimi.

Coronavirus në Itali, harta e rajonit të infektimit sipas rajonit

Si do të lëvizin këmbësorët nga 30 marsi? Policia del me sqarimin e ri

Policia e Shtetit sqaron hapat që duhet të ndjekin qytetarët për të lëvizur nga e hëna, duke iu referuar urdhrit të ri kufizues që vetëm një pjesëtar nga familja duhet të dalë me leje të posaçme për pazar.

Policia saktëson se, “leja për dalje” është vetëm 1 orë në ditë dhe miratohet vetëm për 1 pjesëtar të familjes, në atë ditë.Gjithashtu, ajo që duhet pasur parasysh është se në orarin 05:00 deri 13:00, nuk do lejohet asnjë qytetar të dalë nga banesa, përveç kësaj kategorie që do pajiset me autorizim, si dhe atyre që janë në punë dhe kanë autorizime të mëparshme.

NJOFTIMI

“Në zbatim të masave kufizuese të shpallura për parandalimin e përhapjes së COVID-19, gjatë periudhës së kufizimeve të lëvizjes së shtetasve në zonat urbane, Policia e Shtetit sqaron se:

Nga data 30 mars 2020 e në vijim, në e-Albania do të ofrohet shërbimi online “Leje për dalje” nga shtëpia. Kjo leje vlen vetëm për fashën orare 05:00-13:00, për të bërë pazar apo blerë ilaçe.

Leja për dalje” është vetëm 1 orë në ditë dhe miratohet vetëm për 1 pjesëtar të familjes, në atë ditë. Sistemi ndërvepron me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, ku verifikohet përkatësia familjare e aplikantit dhe mesazhi miratues që mbërrin në telefonin e qytetarit është konfirmim për strukturat e Policisë.

Policia e Shtetit rikujton se “Leja për dalje” do t’i refuzohet çdo pensionisti, si një nga grupmoshat më të rrezikuara për t’u prekur nga COVID-19.

Për rastet e fatkeqsive, emergjencave, urgjencave apo sëmundjeve që kërkojnë trajtim mjekësor në institucionet e shëndetësisë, qytetari duhet të telefonojë në numrin 112 apo 129 dhe të presë konfirmimin për lëvizjen.

Gjithashtu, sqarojmë se në orarin 05:00 deri 13:00, nuk do lejohet asnjë qytetar të dalë nga banesa, përveç kësaj kategorie që do pajiset me autorizim, si dhe atyre që janë në punë dhe kanë autorizime të mëparshme.

Asnjë qytetar tjetër nuk do lejohet të dalë për arsye të tjera, si shëtitje, qëndrime në parqe e lulishte, sport apo lëvizje pa asnjë aryse.

Në zbatim të këtyre masave kufizuese, Policia e Shtetit apelon për familjarët që duan të bëjnë pazar apo të blejnë ilaçe që të aplikojnë në e-Albania apo në numrin falas 55155, pasi patrullat policore, nëse konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj shkelësve.

‘Letra’ nga Covid-19 për të gjithë botën

E gjithë bota po lufton me një pandemi të tmerrshme, e cila po shkatërron atë ngadalë.Koronavirusi është përhapur në pjesën më të madh të botës, duke shkaktuar viktima dhe izolim për miliona njerëz.

Media italiane, “SportFair ka publikuar një shkrim, ku COVID-19 i shkruan gjithë botës e pse ka ardhur

Përshëndetje, Unë quhem Covid-19. Shumë prej jush me njohin si koronavirus. Më falni për informacionin e pakët, po nuk më thanë se kur do të vij dhe me çfarë forme e force do të prezantohesha tek ju. Përse jam këtu? Le të themi se jam këtu sepse u lodha duke ju parë se si ecni pas dhe nuk evoluoni. U lodha teksa shihja se si vazhdimisht shkatërroheshit nga duart tuaja.

U lodha nga mënyra se si e trajtoni planetin. U lodha nga mënyra se si silleni me njëri – tjetrin. U lodha me abuzimet, dhunën, luftërat, konfliktet dhe paragjykimet tuaja. U lodha nga zilia e shoqërisë suaj, nga hipokrizia juaj, nga egoizmi juaj. U lodha nga koha e pakët që i dedikon vetes dhe familjes. U lodha nga vëmendja e pakët që i kushtoni fëmijëve tuaj.

U lodha nga rëndësia që i jepni gjërave të panevojshme në kurriz të gjërave thelbësore. U lodha nga kërkimi juaj i furishëm për fustanin më të bukur, modelin më të fundit të celularit, makinën më të bukur, thjesht për tu dukur më i plotësuar. U lodha nga tradhëtitë tuaja. U lodha nga keqinformimi juaj.

U lodha nga koha e pakët që i dedikonin komunikimit. U lodha nga ankesat tuaja të vazhdueshme ndërsa nuk bënit asgjë për të përmirësuar jetën tuaj. E di se jam i ashpër me ju, ndoshta shumë, por jam i paanshëm, jam një virus. Mesazhi që dua t’ju jap është i thjeshtë, dua të theksoj të gjitha kufizimet e shoqërisë ku jetoni, sepse mund t’i eleminoni ato, dhe dua të ndaloj çdo gjë që të kuptoni se e vetmja gjë me rëndësi ku duhet të përdorni gjithë energjinë tuaj që tani e tutje, është thjesht jeta, jeta.

Jeta juaj dhe e fëmijëve tuaj, ajo ka me të vërtetë nevojë për mbrojtje, për përkëdhelje dhe për ta jetuar së bashku. Kam dashur që të qëndroni sa më shumë të jetë e mundur të mbyllur dhe të izoluar në shtëpitë tuaja, larg nga prindërit, nga gjyshërit, nga fëmijët dhe nga nipërit tuaj. Që të kuptoni se sa i rëndësishëm është një përqafim, kontakti njerëzor, bashkëbisedimi, një shtrëngim duarsh, një mbrëmje mes miqsh, një shëtitje nga qendra, një darkë në lokal, ose një vrap në park, në ajër të pastër.

Rinisni gjithçka me këto gjeste. Jeni të gjithë njësoj, jeni të gjithë njësoj, jeni të gjithë njësoj, jeni të gjithë njësoj. Mos bëni dallime midis jush. Unë jam kalimtar por ndjenja e afrimitetit dhe bashkëpunimit që kam krijuar mes jush, në shumë pak kohë, duhet të zgjasë përgjithmonë.

Jetojeni jetën në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Ecni ngadalë. Merrni frymë thellë, bëni mirë, shijoni natyrën, bëni atë që ju pëlqen e ju kënaq, dhe krijoni kushte që të mos vareni nga askush. Kur të festoni, unë do të jem larguar, por mos jini më të mirë vetëm në praninë time.

LAJM I FUNDIT/ CoVid-19 197 të prekur, 10 viktima në vend/Ja harta e përhapjes

Numri i të prekurve me CoVid-19 në vendin tonë ka shkuar në 197.Nga të cilat 11 raste të reja janë regjistruar vetëm në 24 orët e fundit.Nderkohe Korça ka 12 raste.

Ne terapi intensive jane ne gjendje te rendë 4 paciente.

Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet:

E PLOTE

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 11 raste të reja, shkon në 197 numri i të prekurve

Dy pacientë ndërruan jetë, shkon në 10 numri i viktimave. 33 të shëruar
Silva Bino
Instituti i Shëndetit Publik

Në vijim të komunikimit të përditshëm më Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive. Epidemiologët në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor nga veriu në jug, janë në terren dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të identifikuar në kohë kontaktet, pas verifikimit të rasteve të dyshuara.
Në 24 orët e fundit janë testuar 79 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 11 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 1325 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 197 raste.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë dy pacientë në spitalin Infektiv, një 67 vjecar nga Tirana dhe një 72-vjecare nga Vlora. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 74 të shtruar dhe prej tyre 4 janë në terapi intensive. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë           113 raste
– Durrës           11 raste
– Lushnje         4 raste
– Elbasan         5 raste
– Rrogozhinë   2 raste
– Fier               21 raste
– Kavajë          4 raste
Korçë            12 raste
– Vlorë            5 raste
– Shkodër        4 raste
– Lezhë            4 rast
– Berat             1 rast
– Has               2 raste
– Krujë            3 rast
-Tropojë          3 raste
– Pukë               3 raste

Deri tani kemi 33 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negativë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!
Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Nesër ndryshimi i orës, akrepat zhvendosen 60 minuta përpara

Në orën 02:00 të mëngjesit fillon llogaritja e orës verore. Ora do të shkojë 60 minuta përpara. Momenti zyrtar i ndërrimit të orës është ora 02:00, e 29 marsit.

Është ky momenti kur akrepat do kalojnë 60 minuta para duke shënuar 03:00.

Fenomeni i ndërrimit të orës ndodh çdo vit në dy periudha të ndryshme të vitit.

Ky proces i ndryshimit të orës ka filluar prej vitit 1981 dhe ndodh në të gjithë Evropën, ku në shumë shtete të saj, akrepat e orës lëvizin 60 minuta përpara.

I quajtur ndryshe numërimi i orës verore, ky ndryshim do t’u japë mundësi të gjithë njerëzve të shijojnë sa më shumë ditën dhe rrezet e diellit. Në vende të tjera , ky ndryshim do të ndodhë sipas orëve përkatëse lokale. Për vendet e Bashkimit Europian, ora e gjithë zonës do të ndryshojë në të njëjtin çast.