Pas Belgjikës, një tjetër shtet i madh ka vendosur të pezullojë përfundimisht futbollin. Edhe pse UEFA insiston që sezonet të mbyllen në fushë, Holanda është vendi i radhës që i ka vënë drynin aktiviteteve sportive.Vendimi i qeverisë ndalon zhvillimin e aktiviteteve deri në datën 1 shtator, duke e bërë mision të pamundur përfundimin e kampionatit holandez në fushë.
Vetë faqja zyrtare e “Eredivise“ përcjell lajmin për të gjithë, ndërsa shton se do të komunikojë me qeverinë europiane të futbollit për t’u konsultuar në lidhje me këtë çështje.

Megjithatë rrugë tjetër duket se nuk ka për ta, pasi në shtator është e pamundur të shpëtohet sezoni aktual, duke qenë se është ai i vitit 2020/2021 që do të zërë vend.Në këto kushte në Holandë u duhet të vendosin nëse do të quhet një kampionat i pavlefshëm apo do të marrin për bazë renditjen aktuale.
Ditën e premte do të organizohet edhe një takim me të gjitha klubet, ku do të njihen me pasojat që shkakton kjo mbyllje e parakohshme e sezonit.
