Ditën e sotme bëhet me dije se ka ndërruar jetë arkitekti, piktori Maks Velo në moshën 84 vjeçare.Mësohet se ai ishte i shtruar prej disa ditësh në QSUT, pasi vuante nga anemia.Velo me parë ka vuajtur denimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.
Kush ishte Maks Velo

Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha.Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.
Ai ishte një nga 175 arkitektët më të mirë në botë.
Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

