Presidenca reagon pas miratimit të Komisionit Hetimor: Meta në detyrë deri më 24 korrik 2022

Presidenca ka reaguar menjëherë pasi Kuvendi miratoi me 97 vota pro ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Kreut te Shtetit, Ilir Meta.Në një dalje për mediat, zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi tha se ky institucion nuk do të tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.


“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej Tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit.

Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si  dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik.

Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton  vëmendje dhe është nul.

Askush nuk mund të fshihet dot, as pas “etikës” dhe as pas “retorikës”, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI.

Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim.

Garantojmë të gjithë qytetarët, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti Meta do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë, sikundër ka vepruar derimë tani, të gjitha funksionet e Tij kushtetuese deri më 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj intimidimi të Institucionit të Presidentit nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Blushi.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.