Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake kanë nisur aksionin për të liruar hëpësirat publike, të cilat janë zënë në plazhin e Durrësit. Mësohet deri më tani janë sekuestruar shezlongët dhe çadrat e tre subjekteve. Aksioni po zhvillohet nga Ura e Dajlanit tek Iliria, si dhe nga Përroi i Agait deri te Shkëmbi i Kavajës, sipas informacionit të marrë në tre sektorë.
Aksioni i policisë është në zhvillim e sipër për të gjitha ato subjekte që kanë zënë territor plazhi pa leje zyrtare.
Ishte kryeministri Edi Rama ai që i paralajmëroi dje bizneset që t’i largojnë vetë çadrat dhe materialet që kanë vendosur pa leje në të kundërt ato do tiu sekuestrohen dhe nuk do t’iu jepen më pas.
“Ajo ç’ka është përcaktuar si kornizë e këtij procesi do të zbatohet me hir apo pahir, dua tiu bëj thirrje të gjithë subjekteve, që nuk kanë leje, të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull. Policia do të jetë në të gjithë bregdetin dhe do të konfiskojë të gjitha çadrat që nuk janë në pëputhje me letrat, hapësirat publike janë të popullit.Besoj se përveç disa rasteve që janë publike, dhe disa të tjera që janë problematike, pjesa tjetër është pozivitve. Subjektet që nuk kanë leje duhet të largohen vetë, dhe të mos humbasin bazën materiale, e cila do ju merret dhe nuk do t’iu kthehet më mbrapsht”, tha dje Rama në konferencë me gazetarët.
