“Furtuna” e paralajmëruar në Policinë e Shtetit, pas ngjarjeve kriminale dhe aksidenteve të rënda automobilistike, në fakt ka rezultuar vetëm një rokadë me transferime drejtuesish. Ajo çfarë bie në sy është “ndëshkimi” i kreut të Policisë Rrugore, Edmond Tarkaj, i cili është emëruar drejtor i Policisë së Beratit, por edhe i drejtorit të Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, që u emërua drejtor i Policisë Shkencore, vetëm pak ditë pas vrasjes së katërfishtë që ndodhi në Velipojë.
Bie në sy edhe rikthimi i Ardian Çipës, i cili nga Akademia e Sigurisë është emëruar drejtor i Policisë së Korçës.
Ndërsa drejtori i Policisë së Korçës, Ferdinant Mara, transferohet në të njëjtën detyrë në Fier.

Hamdi Fjora, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, transferohet dhe emërohet drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.Dhimitraq Ziu, zëvendësdrejtor për Sigurinë i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është emëruar në krye të Policisë Rrugore.
Ndërsa në detyrën që ishte lënë bosh prej pak ditësh nga Gjovalin Loka është emëruar Neritan Nallbati, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Në një tjetër qark problematik, siç është Vlora, ku këtë vit kanë ndodhur disa atentate mafioze, ende pa autor, është emëruar Bledar Çeliku, drejtori i Policisë Fier.
Përveç “ndëshkimeve”, Ardi Veliu ka vendosur edhe promovimin e disa drejtuesve të Policisë, duke i ngritur në detyrë.
I tillë është rasti i Skënder Hitës, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, të cilit tashmë i është besuar drejtimi i Policisë së Shkodrës.
Ndërsa Oltion Bistri, aktualisht shef i Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, ka marrë drejtimin e Policisë së Durrësit, ku aktualisht ishte Lorenc Shehu, i cili është transferuar me të njëjtën detyrë në Lezhë.
