Teuta zhgënjen në Europë, pasi është mposhtur me rezultatin e thellë 0-4 nga moldavët e Sheriff Tiraspol, në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të ligës së Kampionëve, zhvilluar në “Niko Dovana”. Kampionët e Shqipërisë bënë një ndeshje për t’u harruar dhe u pa qartë që ishin shumë më dobët fizikisht sesa kundërshtari, teksa humbja me rezultatin e thellë e bën takimin e kthimit vetëm një formalitet, pasi eliminimi është i pashmangshëm.

Pavarësisht se në ekipin e Martinit u afruan futbollistë si Seferi dhe Kallaku, nuk arritën të ngriheshin në lartësinë e kampionëve të Moldavisë, të cilët e dominuan thuajse të gjithë takimin duke shënuar nga 2 gola për çdo pjesë.
Sheriffi e nisi vrullshëm ndeshjen dhe arriti të gjejë golin e avantazhit me mbrojtësin Henrique Luvannor në minutën e 15-të, ndërsa në shtesën e pjesës së parë ishte sërish futbollisti 31-vjeçar që shënoi edhe golin e dytë.
Durrsakët provuan të reagojnë në pjesën e dytë, por pa rezultat, ndërsa moldavët shënuan edhe dy herë të tjera me Traore dhe Castaneda, duke vulosur triumfin 0-4 dhe njëkohësisht kualifikimin që në ndeshjen e parë në Durrës.
