Pas temperaturave të larta për shkak të të nxehtit afrikan gjatë dy ditëve të fundit, sidomos të enjten, në fundjavë parashikohet që i gjithë territori i vendit të përfshihet nga reshjet e shiut. Meteorologia Lajda Porja nga “Meteoalb”, në një lidhje direkte për Klan News, thotë se temperaturat do të zbresin në 33-34 gradë Celsius gjatë të shtunës dhe të dielës.
Kryesisht të shtunën, parashikohet që pjesa më e madhe e vendit të përfshihet nga mini-stuhia tropikale, përfshirë këtu edhe zonat bregdetare. Përjashtim do të bëjë vetëm bregdeti i Jugut.
“Dita e djeshme ka qenë një ditë vërtetë e vështirë dhe një ditë e nxehtë, ku termometri është ngjitur deri në 41.6 gradë Celsius. Vlerat më të larta janë shënuar në Koplik, po ashtu dhe qarku i Beratit. Megjithatë, e gjithë Ultësira Perëndimore është luhatur nga 39 deri në 40 apo 41 gradë. Megjithatë, sot presim që të kemi një rënie me 2-3 gradë të temperaturave në orët e mesditës, po ashtu dhe fundjava do të sjellë edhe rënien më të ndjeshme të vlerave termike, duke bërë që nga temperatura 40 gradë – 41 gradë që janë shënuar gjatë ditës së djeshme, sot pritet që të jemi në vlerën 36-37 gradë, dhe e shtuna dhe e diela termometri do të jetë jo më shumë se 33 apo 34 gradë. Në fakt do të jetë një freskim i motit, por temperaturat janë tipike të stinës së Verës dhe tipike të Korrikut. Duke qenë se aktualisht kemi përjetuar temperatura shumë të larta. Përsa i përket reshjeve, kemi një ndryshim të tablosë. Duke filluar që sot pasdite pritet zhvillim i vranësirave duke sjellë rrebeshe shiu në të gjithë zonën malore duke rrezikuar pjesërisht edhe disa zona të izoluara me rrebeshe afatshkurtra shiu, ku herë pas herë do të jenë tipike ministuhi lokale apo tropikale që sjellin pikërisht temperatura të larta.
