Deputeti Demokrat i Lushnjes kundër bashkëqeverisjes: “Është si një papuçe leshi e veshur në behar”

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka thënë nga foltorja e Kuvendit se ligji i ri për bashkëqeverisje, është jashtë standardeve kushtetuese.Ai tha më tej, se ajo nuk ka pasur rezultate dhe ka dështuar pasi me vendim VKM-je ajo është miratuar që në vitin 2017. Sipas Korreshit, qeveria duhet të bëjë më shumë për fermerët dhe eksportuesit, pasi këta të fundit sipas tij ndërmarrin risqe dhe sjellin të mira për vendin.


Gjatë javës së kaluar kjo qeveri miratoi një ligj dhe na promovoi një akademi, vetëm nuk na specifikoi cili do të merret me dele dhe kush me dhi. Ligji i bashkëqeverisjes është si një papuçe leshi e veshur në behar, sepse rri ngushtë me normat kushtetuese. Ligji krijon problematika lidhur me disa parime kushtetuese, përkatësisht me ndarjen e pushteteve. Ky ligj, duke u maskuar, synon praktikisht vendosjen e tyre në pushtetin ekzekutiv.Nga ana tjetër ligji krijon agjencinë dhe koordinatorët e saj, që pothuajse ndërhyjnë në funksionet kushtetuese. Ligji që miratohet me shumicë të thjeshtë bie në kundërshtim me ligjin që miratohen me shumicë të cilësuar. Po kështu jam shprehur në komision që kjo çorape leshi është e grisur, sepse kjo agjenci ka që nga viti 2017 që ekziston sipas një VKM.

Rezultatet janë 183 mijë ankesa dhe 1800 zgjidhje, domethënë një dështim total. Ka bërë vetëm një vrimë në ujë dhe tregon se sa e dështuar është kjo qeveri. Kjo agjenci do të marrë në interpelancë çdo ministër. Ndërkohë që fermerët në trevën e Myzeqesë e më gjerë janë të gjithë në rrugë. Mos e trumbetoni sikur po jepni shumë lekë për bujqësinë. Kjo është situata që ju premtoni, miratoni dhe nuk e dini as vetë se sa do të shkojë deri në fund. Thatë që do të vijoni me mbështetjen e eksporteve, por nuk keni vendosur asnjë iniciativë për eksportuesit që janë aset kombëtar dhe marrin përsipër risqe. Përpos të tjera plehrat kimike i keni dyfishuar. Mos premtoni, miratoni, por shikoni te akademia, sepse dekania ka atje vetëm kopsht zoologjik, sepse me fjalët tuaja e keni dështuar këtë sektor”, tha Korreshi.