Jozefina Topalli për Bashën: “Nuk më ka zhgënjyer, se e kam njohur qysh në fillim!”

Ish-kryetarja e Partisë Lëvizja për Ndryshim, Jozefina Topalli thotë se nuk është zhgënjyer kurrë nga kreu i PD Lulzim Basha, pasi e ka njohur që në fillim atë. Duke folur në emisionin “Opinion” ish-kryetarja e Parlamentit tha se Kuvendi është forumi më i lartë dhe i plotfuqishëm, dhe kur mblidhet ai përfaqësia kthehet në anëtarësi. E pyetur sa të ka zhgënjyer Basha, Topalli u shpreh: “Jo Basha mua nuk më ka zhgënjyer asnjëherë. E kam njohur qysh në fillim!”.

“Do mblidhet Kuvendi. Është forumi më i lartë, i plotfuqishëm, përballë të cilit të gjithë të tjerët janë anëtarë dhe nuk ekziston asnjë forum tjetër që mund ti mbivendoset. Dhe kur mblidhet anëtarësia, dhe z.Berisha kishte shumë të drejtë, përfaqësia kthehet në anëtarësi. Prandaj kur thotë ai sekretar i përgjithshëm, gënjen, spekulon. Nuk njohin as anëtarësinë, as partinë, dhe kujtojnë se partia është sekretariati. Kur bëhen zgjedhjet parlamentare, Kuvendi mbledh veten, kur presidenti nuk e mbledh”, tha më herët Topalli.