Ngrehu Enver…

Nga Bledi Lumani

Pas çdo ngjarje të rëndë që ndodh në Shqipëri, në rrjet nis e qarkullon ideja se këtij vendi i duhet edhe njëherë një si Enver Hoxha, “që ta bëjë zap Shqipërinë”.

Pse s’vriste njeri në kohë të Enver Hoxhës, kur ishte ai s’guxonte njeri të bënte krime. Atëhere kishte rend e qetësi”, ulërisnin një tufë grash mbi të 50-at, të revoltuara nga krimi i tmerrshëm i Fierit, ndërsa ishin pjesë e panelit të një emisioni në TCH (Ftesë në 5).


Si ato mendojnë plot të tjerë, pasi mjafton këtu të kujtojmë një sondazh të OSBE të disa viteve më parë, në të cilin gati 50 përqind mendonin se Enver Hoxha dhe komunizmi kanë qenë pozitiv.

Por pse ndodh kjo, nga nevoja ulëritëse për drejtësi, të cilën se kemi pasur këto 30 vite, nga korrupsioni i bërë faqe të gjithëve i politikanëve tanë, të cilët veç pasurohen e populli varfërohet, apo ngaqë jemi një shoqëri që mendojmë se gjërat zgjidhen veç me “të fortë”?

Mund të jenë të gjitha bashkë, por në një vend ku shpresa për zgjidhjen e halleve ka mbetur ringjallja e një kufome dhe ngritja e trekëmbëshave nëpër sheshe, atëhere i jemi dorëzuar pafuqisë për të ndryshuar.

Se nëse shpresa e vetme është trekëmbëshi dhe një kufomë e pakallur ideologjikisht, apo siç është shpresë për ndryshim politik një tjetër kufomë politike, që del si fantazmë qytet më qytet me “Foltoren” e tij, ajo nuk është shpresë, por dorëzim.


Dorëzim para së keqes, të cilën mendojmë se mund ta luftojmë po me të keqe. Ndaj dhe jemi në këtë gjëndje, pasi të keqen ne e kemi kthyer në vlerë.

Shikoni kë kemi votuar këto 30 vjet, shikoni kë vlerëson shoqëria shqiptare, atë njeriun e urtë dhe të edukuar që punon me ndershmëri, apo atë që pasurohet duke vjedhur, trafikuar e bërë çfarëdolloj pisllëku dhe që pastaj kapardiset majë ndonjë makine luksoze deri sa e vrasin, shikoni çfarë modele kemi dhe promovojmë në media, intelektualin, profesionistin, atë që ka vlera njerëzore, apo llumin e shoqërisë. Hapni televizionet dhe e keni kollaj përgjigjien.

Se e keqja nuk na mbiu kështu papritur nga hiçi dhe tani na duhet edhe njëherë tjetër Enver Hoxha apo ndonjë Enver tjetër, që të na e shkulë këtë të keqe me rrënjë. Përkundrazi.

Ndaj para se të thërrasim “ngrehu Enver”, mirë është të “vrasim” secili Enverin tonë e të fillojmë të thërrasim në kor, fjala vjen “ngrehu Nënë Tereza”. Deri atëherë, “ngrehu Enver”…/ TemA