Florian Marku nuk njeh rivalë/ Triumfon ndaj francezit Luisetto dhe mbron titullin kampion bote

Boksieri shqiptar Florian Marku mbrojti titullin kampion bote në kategorinë IBF International, duke mposhtur sot në mbrëmje me vendim unanim të gjyqtarëve, Francezin Jorick Luisetto, një duel me tetë raunde zhvilluar në stadiumin “SSE Arena” të Londrës. Kjo ishte hera e parë për Florian Marku që mbronte titullin kampion të peshës “welter” (pesha deri 67kg), trofe që e pati fituar dy muaj më parë po në Londër. Për Luisetto, kjo ishte humbja e tretë në karrierë (ka edhe 11 fitore). Të tre gjyqtarët i dhanë fitoren Markut me shifrat 78-75.


Sfida >> Marku ishte agresiv në ring, duke e goditur kundërshtarin që në raundin e parë, ndërkohë që, njëkohësisht, edhe mbrohej mirë. Luisetto përpiqej hera-herës të vinte në vështirësi boksierin kuqezi, por jo mjaftueshëm për të fituar sfidën. Florian Marku e kishte gjatë gjithë kohës në kontroll rivalin e tij, duke e merituar fitoren dhe gëzuar fansat e shumtë. Një sfidë e mirë e boksierit shqiptar, i cili i mbështetur nga qindra shqiptarë të pranishëm me flamujt kuqezi, nuk zhgënjeu, duke treguar një boksim të mirë. Fitorja e Markut erdhi pas tetë raundeve të zhvilluar, pas vendimit unanim të gjyqtarëve në favor të Markut.

Raundi i parë u karakterizua me lojë më të mirë të Markut, i cili pati disa goditje të mira me të majtën, ndërsa raundi i dytë ishte thuajse i barabartë.

Në raundin e tretë, Marku ishte fantastik me disa goditje të njëpasnjëshme dhe ishte afër ta rrëzonte Luisetton.

Raundi i katërt pati më pak më aksion, më shumë kapje, por me Markun përsëri për një nuancë më të mirë, duke marrë pikë me disa goditje.


Treminutëshi i pestë pati shumë provokime nga të dy boksierët dhe po ashtu edhe goditje, duke bërë një raund të barabartë.

Në raundin e gjashtë, Marku u rikthye dhe ishte më i mirë, edhe pse pranoi disa goditje nga francezi.

Raundi i shtatë ishte i tensionuar dhe me gabime nga të dy boksierët dhe i barabartë gjithashtu.

Në raundin e tetë apo të fundit u pa lodhja e të dy boksierëve, por me Markun për një nuancë më të mirë duke arritur ta mbajë epërsinë dhe ta fitojë këtë raund.