Range Rover nuk i qëndron postobllokut, përplas dy efektivët, por kapet një nga autorët në kërkim një tjetër…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes. Dy efektivë policie janë përplasur nga një automjet që po lëvizte në sens të kundërt në zonën e Currilave. Mësohet se një prej efektivëve ka pësuar lëndime dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Durrësit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Forcat operacionale të DVP Durrës janë vënë në ndjekje ku kanë bërë të mundur kapjen e njerit prej personave që ndodhej në mjet i cili është kapur me armë zjarri pistoletë. Ndërkohë që policia vijon të jetë në kërkim të personit tjetër që ishte në mjetin Range Rover të bardhë.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 09.06.2022, rreth orës 22.40, në lagjen nr 1, Durrës, një automjet me drejtues shtetasin H.P, lëviste në sens të kundërt. Forcat operacionale të DVP Durrës që ishin me shërbim në këtë zonë i kanë bëre shenjë për të ndaluar por drejtuesi i automjetit ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke përplasur punonjësit e policisë.

Si pasojë njëri prej punonjësve të policisë, shtetasi G.M, është dëmtuar dhe ndodhet në spital për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën. Forcat operacionale të DVP Durrës janë vënë në ndjekje ku kanë bërë të mundur kapjen e personit që ndodhej në mjet, konkretisht shtetasin H.P, i cili kishte me vete armë zjarri pistoletë. Grupi hetimor në bashkëpunim me AMP, nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, njofton Policia e Durrësit.

Advertisement