Nga thika e gjatë 18 cm tek kamerat në shtëpi/ Tefta Malaj jep dëshminë për hetuesit: “Ishte aq xheloz sa…

Hetuesit italianë kanë marrë mëngjesin e kësaj të premteje dëshminë e Tefta Malajt, 39-vjeçares shqiptare e cila mbeti e plagosur me thikë nga bashkëshorti i saj, Taulant Malaj. Ngjarja e rëndë ndodhi fundjavën që lamë pas në apartamentin ku jetonte familja shqiptare në Torremaggiore të Foggia-s, në Itali. 45-vjeçari vrau fqinjin e tij italian Massimo De Santis dhe vajzën e tij 16-vjeçare, duke i goditur barbarisht me thikë.

Tefta mori plagë të shumta dhe që prej asaj nate ndodhet në spital, ku dhe u mor në pyetje nga hetuesit italianë. Sipas asaj që shkruan ANSA, ajo u ka treguar atyre se bashkëshorti ishte shumë posesiv dhe se ishte aq xheloz sa ia kishte ndaluar të kishte kontakte me njerëz të tjerë, apo të dilte nga shtëpia për të pirë një kafe me shoqet.

Vitin e fundit, sipas dëshmisë së përcjellë nga agjencia italiane e lajmeve, sjellja e tij ishte përkeqësuar edhe më shumë, për lidhjen jashtëmartesore që ai dyshonte se gruaja kishte me 51-vjeçarin Massimo De Santis. Një lidhje që gruaja e ka mohuar në mënyrë kategorike, duke thënë se bëhej fjalë vetëm për një miqësi të thjeshtë.

Sa i përket armës së krimit, Tefta mësohet të jetë shprehur se nuk e kishte parë kurrë më parë në shtëpi atë thikë, e gjatë 18 centimetra, e që me gjasë 45-vjeçari e kishte siguruar kohë më parë.

Tefta konfirmoi po ashtu të gjithë dinamikën e krimit të dyfishtë dhe plagosjes së saj, e cila është shfaqur edhe në videot e regjistruara nga kamerat e vendosura në shtëpi, por edhe nga vetë rrëfimi i burrit të saj. Sipas asaj që shkruan ANSA, hetuesit janë përqendruar në mënyrë të veçantë tek marrëdhënia mes bashkëshortëve.

Marrja në pyetje, që u zhvillua në repartin e kirurgjisë në spitalin e Foggia-s zgjati rreth 2 orë. E pranishme mësohet se ishte edhe e ëma e Teftës.

Ndërkohë, kanë dalë edhe rezultatet e autopsisë. Kështu, Massimo De Santis u vra me 23 goditje me thikë, ndërsa 16-vjeçarja Jessica me 6 goditje në kraharor. 45-vjeçari Taulant Malaj vrau fillimisht fqinjin, i bindur se kishte një lidhje me bashkëshorten e tij. Më pas i mori jetën të bijës, gjatë kohës që kjo e fundit tentonte të mbronte të ëmën. Tefta Malaj po ashtu para hetuesve mësohet të jetë shprehur se kamerat në shtëpi, në dhomën e ndenjes dhe atë të gjumit, i kishte vendosur për të kontrolluar të shoqin, pasi kishte mësuar se ai ngacmonte seksualisht Jessica-n, kur ajo ishte 14-vjeçe. 39-vjeçarja vijon të jetë e shtruar në spital, ndërsa varrimi i vajzës së saj, ANSA shkruan se mund të mbahet në Shqipëri./Klan

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: