Turma derdhej në dy arteriet kryesore: ‘Njëra drejt Bankës dhe tjetra për nga kinema “Morava”…

Tifozët vinin edhe nga Arrëza, Dardha, Selca, Strelca, Lozhani…
NE FËMIJËT E SHIHNIM NDESHJEN NGA PRAPA TELAVE
Biletat u shtrenjuan shumë, nuk ishte e lehtë ta blije

Rrëfyer nga i madhi Todo Vaso, vijon nesër Nga prapa telave me gjemba që rrethonin fushën, kundronim me sy lëvizjet e rojeve që lëviznin poshtë e lartë për të ndaluar njerëzit që hynin nga telat. Ndodhte të kapnin ndonjë fëmijë…
Guximtarët pasi kishin kaluar telat me gjemba, duke u zvarritur poshtë telave, vraponin për të hyrë në murin me njerëz që rrethonte fushën e futbollit. Kush u shpëtonte rojeve, zhdukej në turmën e njerëzve. Rojet nxitonin për nga vendi ku kishte hyrë “shkelësi i kufirit”,

por njerëzit e kishin përpirë mes tyre dhe e maskonin menjëherë, duke mbyllur dhe shtegun që mos i lejonin rrugë rojeve.

Fëmijët çanin për tutje e përfundonin larg shtegut nga kishin hyrë. Kur ishte kohë e mirë shtriheshin përpara këmbëve të të rriturve, në lëndinën para pistës së vrapimit të atletikës.
Në grupin e fëmijve që rrinin prapa telave isha dhe unë. Isha i drojtur, thuajse isha i fundit që kapërceja “kufirin”. Ndërsa kur erdhi dita të luaja futboll gjithkush mund të shihte një fëmijë tjetër, një djalosh, kurajoz, me temperament të zjarrtë e të guximshëm.

Në të vërtetë, moskalimi i kufirit nuk më vinte nga ndonjë ndjenjë frike, mos haja ndonjë shpullë apo ndonjë shkelm në prapanicë. Jo, më dukej gabim i rëndë hyrja pa leje në fushën e futbollit. Rregullat i mendoja si tabu. Në moshën e fëmijërisë dhe adoleshencës, bashkë me shumë moshatarë të tjerë shkonim për nga terreni thuajse duke vrapuar. Frymën e mbanim përpara telave rrethues të fushës. Ndeshjet e futbollit na thithnin si magnet. Ditët e ndeshjeve i prisnim me ankth. Loja e futbollit na dukej si një lodër e mbinatyrshme. Transformoheshim. Lojtarët na dukeshin sikur u përkisnin qenive jashtëtokësore.

Pasimet, trillimet, krosimet dhe veçanërisht gjuajtjet që herë-herë përfundonin në portë më dukeshin një mrekulli.

Kur të rriturit i zbukuronin me fjalët e tyre lojërat e lojtarëve, bëmat e tyre më çonin në kufijtë e një legjende. Fishkëllimën e parë të bilbilit të “Referit”, siç e quanim ne korçarët gjyqtarin në atë kohë, shuante atë zallamahi tunduese. Rojet e telave i afroheshin murit me njerëz, ngriheshin në majë të gishtave që të shikonin lojën. Ky ishte çasti i pritur: fillonte kalimi i territorit. Nga telat deri te muri i njerëzve duhej të kaloje 10-15 metra. Më të shumtit e rojeve bënin sikur nuk shikonin, ndaj kalamajtë, një nga një, në gjithë gjatësinë e telave, mbas një zvarritjeje, tureshin për nga turma. Kishte raste që këtë marifet ta bënte edhe ndonjë i rritur.

Kjo histori u mbyll në vitin 1959, kur stadiumi i ri hapi dyertë. Por kangjellat prej hekuri të satdiumit u dëmtuan pas vitit 1991. Në kufirin e telave, (kangjellave), filluan të dukeshin figura të rriturish. Bileta 10-lekëshe hyri në muze. Biletat u bënë të shtrenjta. Të papunët nuk pinin dot një kafe. Bileta për në stadium ishte një luks për shumicën e njerëzve. Në çastin kur loja ishte duke përfunduar nga porta dilnin të parët njerëzit nevojtarë.

Pas pak vërshonte turma që në disa sekonda bënte për nga qyteti.

Në atë kohë qyteti shtrihej tërësisht në juglindje të terrenit. Kalimtarët e rastit befas gjendeshin përballë ose bëheshin njësh me turmën. Pamje befasuese, disi e çuditshme, përsëritej çdo dy javë, kur në fushën e futbollit kishte ndeshje zyrtare. Njerëzit që ngatërroheshin, nxitonin mos i pengonte turma. Me ta shikoje të ardhurit me biçikleta, karroca apo kafshë. Pas tyre, turma derdhej në dy arteriet kryesore: njëra drejt Bankës së Shtetit dhe tjetra për nga kinema “Morava”, sot “Mileniumi” dhe tej për nga Luftëtari Kombëtar, dhe më tej, matanë lumit të Korçës që u mbulua dhe u bë muze.

Kjo pamje do të ishte e plotë, nëse do të paraqesnim edhe turmën që merrte për nga perëndimi.

Tifozët e asaj ane bënin për nga bostanet dhe arat e qytetit. Banorët e fshatarve të fushës, Çifligut, Bulgarecit, Turanit, Voskopit, Dvoranit, Drenovës, Boboshticës, Malavecit, Drenovës, Plasës, Pojanit, Zvezdës etj, ngisnin shpejt që mos i zinte nata në udhë.
Ata që do të mund t’i lexojnë këto kujtime, veçanërisht të moshës së dytë dhe të tretë do të prekeshin, nëse nuk do të gjenin edhe veten në këto rreshta. Ata që bënin 5-6 orë rrugë në këmbë. Më të përkushtueshmit vinin nga Arrëza, Dardha, Selca, Strelca, Sheqerasi, Lozhani, Podgorija etj.

Në fushën e lojës nuk dukeshin më K. Marjani, M. Plluska, K. Sherko, Dimço, S. Tego dhe S. Koça. Kur fillova të njihja për herë të parë futbollistët e rritur korçarë m’i tregonin me gisht: “Numëri 2 është T. Veriga, ai në portë është M.Kita…”. Dhe një nga një që të gjithë: R.Shollën, Milen, Andrean, G. Stratin, V. Prodani. Më pas Shëllirën, K. Koçën, Z. Çerën, E. Dvoranin, G. Loron, M. Kolën etj. Shikonim Lijan (Çobanin) që merrte mbi shpinë P.Milen kur fitonin, veçanërisht kundër Partizanit dhe Dinamos. Nuk ishte vetëm Lija, flitej për Koci Kristafin, sponsorin e parë, doktor “Çërvishëkën”, doctor Taqo Sofronin, Danen e trikotazhit etj.