Ronela Hajati, e ftuar në “Më lër të flas”, ka folur për eksperiencën e saj në Eurovision dhe u shpreh se pavarësisht dëshirës së madhe për skenën, sërish u përball me shumë sfida. Ajo foli për kritikat dhe komentet që i janë bërë:
Në fakt, unë nuk kam folur asnjëherë për Eurovision-in si eksperiencë në media se e kam mbajtur për vete, por kur kam qenë andej kam parë që ka pasur një lumë kritikash dhe vërejtjesh për paraqitjen, veshjen”, tha Ronela, duke shtuar se jashtë shtetit, kënga ka qenë një hit.
“Këtu ma kthyen shpinën shumë njerëz dhe s’e prisja, sepse publiku mua më njeh dhe e di se çfarë natyre kam në skenë. Gjithçka ka ndodhur (në skenën e Eurovision), çdo gjest, ka qenë i mirëmenduar.
Ai nuk është një festival i këngëve kombëtare dhe nuk është se duhet të përfaqësosh traditat apo kulturën e shtetit tënd; ai është një festival ekstra modern, jashtë çdo pritshmërie dhe mbase tingëllon egoiste, por unë atje kam menduar që të bëj show për emrin tim, sepse të them të drejtën, marrëdhëniet që kam pasur atë vit me gjithë stafin e Radiotelevizionit Shqiptar kanë qenë shumë të serta”, u shpreh Ronela.
Më tej, rrëfeu më shumë mbi këtë raport:
“Unë kam dashur diçka të madhe, një skenë gjigante që të bëhej ekstra për mua, por ai buxhet nuk m’u dha kurrë dhe unë u detyrova që edhe klipin përfaqësues ta paguaja vetë”, tha këngëtarja.
