Venecia qyteti i parë Italian që kërkon një tarifë hyrëse. Nis nga 25 Prilli…

Mijëra vizitorë në karnavalet e Venecias po shijojnë atë që mund të jetë viti i fundit i aksesit falas për udhëtarët ditorë që duan të vizitojnë qytetin historik, përpara se të hyjë në fuqi një tarifë shumë e debatuar. Duke filluar nga pranvera e vitit 2024, vizitorët në qytetin italian do të duhet të paguajnë 5 Euro për të hyrë.

Turistët që nuk paguajnë tarifën prej 5 Euro do të gjobiten nga 50 deri në 500 Euro.

Autoritetet italiane kanë vendosur që të shpërndajnë ditët me pagesë përgjatë vitit dhe jo gjatë një muaji të tërë kalendarik, duke zgjedhur ditët që parashikohen të jenë më të ngarkuara, për shembull fundjavat e festave dhe periudhat e pikut të karnavaleve.

Venecia, me kanalet e saj piktoreske, ka luftuar me efektet e turizmit masiv për vite me radhë dhe ka prezantuar një skemë prove që do të hyjë në fuqi nga 25 Prilli, në përpjekje për të kufizuar numrin në rritje të vizitorëve ditorë.

Sipas vendimit të autoriteteve italiane, vizitorët mbi 14 vjeç që hyjnë në qytetin e Venecias do të duhet të paguajnë tarifën e vendosur për ditët e përcaktuara nga autoritetet. Përjashtimet ekzistojnë për vendasit, udhëtarët dhe ata me shtëpi të dyta në qytet, të cilët kanë paguar taksën lokale të pronës, si dhe për turistët që qëndrojnë gjatë natës në qytet dhe ata që marrin pjesë në ngjarje sportive. Këto kategori do duhet të regjistrohen në internet për të rezervuar udhëtimin e tyre.