Tentoi t’i largohej policisë,43-vjeçari përplaset me shtyllen ,vdes në aksident vëllai i zv.ministres…

Një aksident tragjik i ndodhur në orët e para të mëngjesit në Lushnjë i ka marrë jetën një 43-vjeçari. Viktima, Ernis Xhumari, humbi jetën pasi automjeti që drejtonte u përfshi në një aksident në zonën e njohur si “Rrethrrotullimi i Plasmasit”.

Sipas informacioneve paraprake nga policia, rreth orës 01:45 kamerat e sigurisë kanë konstatuar një automjet tip “Mercedes-Benz” duke kryer manovra të rrezikshme përpara Komisariatit të Policisë Lushnjë. Më pas, drejtuesi ka dalë nga mjeti dhe ka bërtitur disa herë para godinës së komisariatit.

Pas njoftimit të patrullës së policisë për të verifikuar situatën, 43-vjeçari është larguar me shpejtësi të lartë sapo ka vënë re efektivët që po afroheshin. Vetëm pak minuta më vonë, ai dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit për shkak të shpejtësisë së madhe.

Mjeti fillimisht është përplasur me bordurat anësore të rrethrrotullimit, më pas me një shtyllë ndriçimi dhe ka përfunduar i përmbysur disa metra më tej. Për pasojë, Ernis Xhumari ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Po këto burime theksojnë se 43-vjeçarit, rreth dy muaj më parë, i është hequr leja e drejtimit pasi është kapur në gjendje të dehur, ku më pas është proceduar. 43-vjeçari Ernis Xhumari është vëllai i zv.ministres së Mjedisit, Elda Xhumari.

43-vjeçari, Ernis Xhumari