Prekese në Korçë/ Babai sheh momentin e rëndë kur palombarët gjejnë trupin e pajetë të të birit

Valmir Lame është gjetur i mbytur pasditen e sotme në një rezervuar në Korçë, disa ditë pasi ishte shpallur i humbur nga familjarët e tij. Babai i 54-vjeçarit foli për mediat duke treguar se muajt e fundit i biri kishte paraqitur probleme shëndetësore dhe kishte shfaqur dhimbje të forta koke, për të cilat ishte duke u ekzaminuar.

Por ndërsa ishte duke folur me gazetarët, ai ka parë dhe momentin e rëndë kur palombarët kanë gjetur dhe kanë nxjerrë trupin e pajetë të të birit, raporton gazetarja Dhorjela Çule.

“Djali jetonte me mua. Ndonjë problem nuk kishte, por ka shfaqur edhe dhimbje koke dhe e çoja në spital urgjent çdo dy – tre ditë. E çoja me taksi, nga 20 mijë lek paguaja. Ambulanca më vinte këtu, i bëri një gjilpërë qetësuese. Atje e kam çuar, nuk ma mbanin, i bënin një qetësues edhe iknim.

Kam edhe skanerin dhe analizat. Gati tre muaj do ta çoja në datën 6 shkurt ma dha urgjent një doktor që t’ja bëja dhe më pas do e çoja në Tiranë. Kam 25 ditë mund ta kem çuar urgjent 5-6 herë. Kontaktin fundit e kas pasur me mua”, u shpreh i ati.

E rende në Korçë/ Gjendet i pajetë në oborrin e banesës një person

Një person, rreth 62 vjeç është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e kësaj të premteje në oborrin e banesës së tij në fshatin Çiflig të Korçës. Mesohet se 62-vjeçari është konstatuar pa shenja jete nga familjarët e tij, të cilët kanë lajmëruar më pas Policinë.

Në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ai mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.

Trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të Korçës për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila do të përcaktojë dhe shkakun e vdekjes.

Lapaj: “Hyjmë në zgjedhje për të fituar 71 mandate. Rama dhe Berisha kanë marrë fund

Adriatik Lapaj ishte i ftuar në “ Të Pashoq”, ku deklaroi se në zgjedhjet e 11 majit synon të marrë 71 mandate. Lapaj tha se nuk i përket politikanëve rraqexhinj që ulen nëpër tavolina dhe bëjnë llogari mandatesh.

“Nuk i përkas atyre politikanëve që i bëjnë llogaritë me blerje votash, nuk jam rraqexhi. Kam hyrë për të fituar në zgjedhje, për 71 mandate”, tha Lapaj.

Ai theksoi se në 11 maj para dhe pas zgjedhjeve nuk do të ketë asnjë bashkëpunim as me Edi Ramën, as me Sali Berishën dhe as me Ilir Metën.

“Nuk jam politikan rraqexhi që ulen në tavolina dhe ndajnë mandatet. Kam hyrë për të fituar, synoj 71 mandate.

E kam shumë seriozisht, një ditë do të fitojmë. Nëse qytetarët e shesin votën e tyre në qafë paçin veten.

Nuk do i ndahem asnjë numëruesi që prek votat. Rama dhe Berisha janë në fund të ciklit të tyre.

E ardhmja është me ne, ndaj i them komisionerëve mos prekni asnjë votë se do të përballeni me ligjin”, tha ai.

Imzot Joani: “Vepra e Kryepeshkopit Anastas në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri, madhështore dhe unike

Një fjalë në liturgjinë hyjnore dhe shërbesën e varrimit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos e mbajti Mbikëqyrësi i Fronit Kryepiskopal, Imzot Joani . Ai vlerësoi veprën e kryepeshkopit të ndjerë në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri.

“Vepra e Kryepiskopit Anastas në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri është madhështore dhe unike. Nën kujdesin dhe përpjekjet e tij u ndërtua dhe restaurua infrastruktura kishtare, u hapën kopshte, shkolla dhe institute profesionale, si dhe u mbështet arsimi publik”, tha ai.

Por vepra më e madhe, sipas Imzot Joanit, është përpjekja e kryepeshkopit Anastas Janullatos për të dhënë një frymë të drejtë dhe të mirë brenda Kishës.

Qëllimi i tij ka qenë të ndërtojë një Kishë  ku Perëndia të adhurohet “në frymë dhe në të vërtetën” (Jn 4:23). Për Kryepiskopin Anastas, veprat ndërtimore nuk ishin një qëllim në vetvete, por një mjet për të realizuar misionin shpëtimtar të Kishës. Ndërtesat janë ngritur për njerëzit dhe në shërbim të tyre, duke qenë mjete që i shërbejnë adhurimit dhe jetës shpirtërore të besimtarëve”, tha ai.

Imzot Joani u shpreh ndër të tjera se me kontributin e tij, Kryepeshkopi Anastas është kthyer në një pikë referimi të rëndësishme, jo vetëm në fushën e dialogut ndërfetar, por edhe në atë të mendimit njerëzor në tërësi.

“Është e vërtetë që kemi humbur një Kryebari të rrallë, por kemi fituar një ndërmjetës të fuqishëm pranë Perëndisë, që do të lutet pa reshtur për ne dhe për Kishën tonë, të cilën e deshi aq shumë. Nëse jemi të pikëlluar, ne 5 ende gjejmë ngushëllim – shkruan Shën Augustini – dobësia jonë na rëndon, por besimi na mban lart.

Ne jemi të pikëlluar për gjendjen njerëzore, por shërimin tonë e gjejmë në premtimin hyjnor. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se ai ishte një pasardhës i denjë i Apostujve dhe, gjatë gjithë jetës së tij, një predikues i zjarrtë i Kryqit dhe i Ngjalljes, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Ai e mbajti mbi supe Kryqin e Krishtit dhe kështu nisi rrugën e tij drejt Ngjalljes. Jeta e tij ishte një jetë e vërtetë, dhe jeta e vërtetë nuk mbaron me vdekjen, sepse ajo është një jetë e shenjtë dhe e pavdekshme. Prandaj, nuk mund të trishtohemi si ata që nuk kanë shpresë”, tha ai

E rendë në Korçë/ Pacienti hyn në dializa me bidon benzine dhe kërcënon se do i vërë flakën vetes e repartit

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Korçë, ku pacienti ka tentuar të vetëdigjet me benzinë në ambientet e shërbimit të dializës. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme teksa mbi 20 pacientë kanë qenë duke marrë shërbimin.

Kujtim Mero, pacient prej vitesh mësohet se ka hyrë me një shishe benzinë në dorë dhe ka kërcënuar se do t’i vinte flakën vetes dhe repartit ku ofrohet ky shërbim duke alarmuar pacientët e stafin.

Ata janë përpjekur ta ndalojnë ngjarjen ndërkohë që ka ndërhyrë edhe policia e cila ka shoqëruar Meron.

Berisha zbulon planin për arsimin: “2000 € pagat e pedagogëve, do heqim mesataren e hyrjes në universitet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të programit të qeverisjes për arsimin dhe shkencën u ndal edhe te tarifat e studentëve dhe pranimet në universitet. Gjatë fjalës së tij, Berisha dekaroi se nëse PD vjen në pushtet do të hiqet mesatarja për pranimet në universitete dhe se do të përgjysmohen tarifat e studentëve.

Berisha deklaroi gjithashtu se do të dyfishohen rrogat e mësuesve dhe rroga minimale e pedagogut sipas tij do të jetë 2000 euro.

“Një qendrim tjetër ndaj studentëve. Pranimet në universitete do jenë tjera,

nuk është më mesatarja ajo që udhëheq, jo, do të hiqet. Sigurisht që, pranimet do të jenë transparente. Tarifat do të përgjysmohen, minimumi. Unë e kuptoj dhe mirëkuptoj botën akademike, e cila për mungesë buxheti shikon te tarifat e studentëve një burim shumë të rëndësishëm të të ardhurave.

Por garantoj se, buxheti do të dyfishohet për arsimin, ndërkohë tarifat,

nuk mund të paguajë studenti në Shqipëri tarifë dy-tri herë më të lartë se studenti në Austri, apo se studenti në Gjermani, apo se studenti në Francë. Këto janë gjëra absurde, në një kohë kur prindërit te atyre studentëve kanë të ardhurat 5-6 herë më të mëdha se prindërit e këtyre këtu. Merr fund kjo!” – tha Berisha që bëri premtime edhe për rritje pagash.

“Rrogat e mësuesve do të dyfishohen.

Rroga minimale e pedagogut do shkojë në 2000 euro. Numri i studentëve për pedagogë do përgjysmohet. Nuk ishim afër standardit të OECD-së në vitin 2005, dyfishuam numrin e asistentëve dhe pedagogëve, shkuam në 11.600, nga 6000 që ishin, tani kanë zbritur përsëri në 6000, kanë ikur. Iu bëjnë superngarkesa, nuk i japin asnjë hapësirë për kërkime shkencore” – tha kreu i PD.

Shifrat /Fieri ,Elbasani dhe Korça i japin mbi 50% “bukë” Shqipërisë

Varësia e Shqipërisë nga importi i drithërave duket se është reduktuar në vitet e fundit pasi vihet re një rënie e sasisë së importuar dhe rritje e sasisë së prodhuar, sidomos për vitin 2022 dhe 2023, krahasuar me periudhat më parë. Megjithatë, numrat për vitin 2024 tregojnë se ka patur një rrije të importit të drithërave në peshë, por edhe në vlerë.

Në vitin që lamë pas, Shqipëria importoi rreth 10 miliardë lekë drithëra me një rritje të lehtë prej 0.2%, krahasuar me vitin 2023. Që nga viti 2005 kur nisin të dhënat e INSTAT, shohim se vitet e fundit importi i drithërave në vlerë ka rënë pas vitit 2021, ndërkohë viti me vlerën më të lartë është viti 2011-të, me 14.32 miliardë lekë.

Por, cilat janë vendet nga ku Shqipëria importoi drithëra dhe si kanë ndryshuar partnerët kryesorë?

Serbia qëndron në vend të parë me 32% të peshës, e ndjekur nga Rusia, Ukraina dhe Italia. Kina, Maqedonia e Veriut, Shtetet e Bashkuara, Pakistani, Spanja dhe Kanadaja plotësojë 10-të partnerët kryesorë. Vlen të përmendim se Serbia dhe Rusia zënë rreth 60% të peshës.

Ajo që vihet re nga të dhënat është se në vitin 2024 Shtetet e Bashkuara kanë spostuar Bullgarinë nga “TOP 10” partnerët kryesorë.

Në vitin 2020 dhe 2021 partneri i parë në drejtim të importit të drithërave ishte Rusia, ndërkohë që në vitin 2022, 2023 dhe 2024, Serbia e spostoi atë në vend të dytë.

Nga ana tjetër, Shqipëria gjatë vitit 2023, periudha e fundit kur të dhënat janë publike ka prodhuar rreth 710 mijë tonë drithëra, ku përfshihet: gruri, misri, elbi, tagjia dhe thekra. Saktësist ¼ e prodhimit e mban mbi “shpatulla” një qark i vetëm dhe ai është qarku i Fierit. Ky qark ka prodhuar rreth 176 mijë ton drithëra gjatë vitit 2023, ose 25% të totalit të të gjithë vendit.

Në vend të dytë ndërkohë ndjek qarku i Elbasanit, me 13% të totalit, ose rreth 96 mijë ton prodhim. Korça ndërkohë mban vendin e tretë, me rreth 12% të totalit. Pra, këto 3 qarqe të vendit duket se zënë më shumë se gjysmën e prodhimit vendas të drithërave.

Korçë/ Kumar me nga një gotë raki përpara, policia u heq ‘zaret’ 4 personave! Nën hetim pronari i lokalit…

Policia e Korçës ka goditur një rast të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit pa licencë, duke vënë në prang 4 persona të dyshuar. Operacioni është koduar “Zaret”, ndëra është proceduar penalisht edhe pronari i lokalit, pasi kishte përshtatur ambientet e këtij subjekti, për lojëra fati.  

Sekuestrohen shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, 5 celularë, tavolina e lojës dhe zaret.

Forcat ‘Shqiponja’ reaguan pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, duke ushtruar kontrollin e befasishëm në lokal. Gjatë procesit të këqyrjes u konstatuan nëpër tavolina përveç zareve të kumarit dhe parave, gotat e rakisë me të cilat të dyshuarit po shtynin lojën e zareve.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. Q., 31 vjeç, Z. L., 52 vjeç, E. M., 38 vjeç dhe E. M., 41 vjeç.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 58 vjeç.

Gjatë operacionit, 4 shtetasit e arrestuar u kapën në flagrancë duke luajtur, me zare, në lokalin në pronësi të shtetasit A. D., në lagjen nr. 8 Korçë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

E rëndë në Greqi/ Shqiptari bie nga skela, ndërron jetë në spital

Një 60-vjeçar shqiptar ka humbur jetën ditën e sotme në Greqi, pasi pësoi dëmtime të rënda në trup në një incident që pësoi gjatë punimeve që po kryente në një soletë në zonën e Achaias.

Mediat greke bëjnë me dije se emigranti shqiptar ra nga skela teksa po rregullonte soletën në një banesë të zonës.

Menjëherë ai u transportua në spital, por për fat të keq nuk ia doli.

60-vjeçari ndërroi jetë në spital pavarësisht ndihmës mjekësore që i dhanë mjekët, shkruan protothema.gr.

Pirro Dhima për Janullatos: “Për mua ai ishte shenjtor. S’e di nëse do të ketë një tjetër që do vazhdojë punën e tij

Me lot në sy, Pirro Dhima foli sërish për Kryepeshkopin e Shqipërisë Anastas, i cili u nda nga jeta më 25 janar. “Nuk e di nëse do të ketë një person që ta zëvendësojë, që të vazhdojë punën e tij”, është shprehur dukshëm kampioni olimpik grek i peshëngritjes.

Siç ka rrëfyer ai kryepeshkopi Anastas, shumë herë i ka dhënë këshilla, qoftë para ndeshjeve, qoftë pas. “Ai më këshilloi edhe për çështje personale dhe familjare”, thotë Dhima, në një intervistë të publikuar nga Protothema.gr.

“Ai ishte aty për të gjithë. Na quajti të gjithëve fëmijët e tij dhe të gjitha letrat që kam fillojnë me shprehjen “fëmija im i dashur Pirros”.

“Për mua ai është shenjtor, vepra e tij është shumë e madhe”, ka përfunduar Pirro Dhima për Kryepeshkopin e ndjerë të Shqipërisë.

Më të mirët e 2024-ës / Bomberi i sulmit të Skenderbeut fiton çmimin ‘Talenti i Vitit’

Një nga çmimet më të rëndësishme të Mbrëmjes Gala “Topi i Artë” 2024 ishte padyshim edhe çmimi për “Talentin e Vitit” për djem. Ermir Rashica, futbollisti i talentuar i Skënderbeut, është shpallur “Talent i Vitit” 2024, ndërsa në garë për këtë çmim ishin edhe Ermal Meta i Tiranës, Ledjo Tresa i Laçit dhe Ergis Arifi i Teutës.

Sulmuesi i Skënderbeut zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke shënuar gola të rëndësishëm dhe duke udhëhequr skuadrën drejt objektivit “Final Four”.

Çmimin Ermir Rashicës ia dorëzuan djemtë e dy legjendave të futbollit shqiptar, Sefedin Braho dhe Sabah Bizi, të cilët janë ndarë nga jeta. Mes emocioneve, Florian Braho dhe Brikeno Bizi uruan Rashicën për këtë çmim të veçantë.

Pas marrjes së çmimit, Ermir Rashica falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i shprehu mirënjohjen për vlerësimin.

Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, u zgjodh si Mbikëqyrës (Locum Tenens) i Fronit Kryepiskopal

Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodh sot në një seancë të jashtëzakonshme, ku shprehu dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasios.

Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, u zgjodh si Mbikëqyrës (Locum Tenens) i Fronit Kryepiskopal deri në zgjedhjen zyrtare te Kryepiskopit të ri .

Shpallja e zisë kishtare për pesë ditë, nga data 25 deri më 29 janar 2025.

Homazhet do të nisin të martën, më 28 janar, në ora 16:00, para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Besimtarët do të kenë mundësi ta nderojnë Kryepeshkopin e ndjerë gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së mërkurë, më 29 janar. Shërbesa e varrimit do të kryhet të enjten, më 30 janar, në ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.

Në përfundim të mbledhjes, Sinodi i Shenjtë kreu një shërbesë përshpirtjeje dhe ftoi të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për prehjen e shpirtit të Kryepiskopit të ndjerë

Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit/ Mitropoliti i Korçes pasuesi i mundshëm i Kishes Shqiptare

Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos tashmë do të sjellë një tjetër zgjedhje. Brenda dy javësh duhet të mblidhet Sinodi i Shenjtë, i cili përbëhet nga 6 mitrolpolitë.
Ata do të votojnë për të zgjedhur kryepeshkopin e ri, sipas rregullave.

Kryepeshkopi i ri duhet të jetë një nga ekzistuesit, teksa përparësi ka ai që është më i vjetri në shërbim.

Deri më tani më shumë shanse të zërë vendin e Janullatos është Mitropoliti i Korçës Hirësia e tij Imzot Joan Pelushi.
Ai ka qenë bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Anastas janullatos, person që e ka shoqëruar deri në momentet e fundit të jetës.

Fitorja erdhi në ditëlindjen e tij/ Ernest Gjoka: “Fitore karakteri me shpirt gare…

Ernest Gjoka ka folur pas fitores së parë që mori me Skënderbeun në kampionat. Bardhekuqtë mposhtën Teutën me rezultatin 2-1. Trajneri i Skënderbeut, i cili sot ka dhe datëlindjen, deklaroi pas ndeshjes:

“Është fitore karakteri, falenderoj futbollistët për çfarë dhanë dhe besimin që patën. Ndeshje të vështira, të gjithë këto humbje dhe barazime, nuk është kollaj nga ana mentale. Uroj dhe besoj të jetë kthesë e madhe për këtë skuadër, besoj i ka cilësitë për të mos qenë në këtë vend ku jemi.

Mendoj se nuk është se nuk kishim ndërtuar të ishim agresivë, por kundërshtari nuk po na jepte momenti me posedimin e topit të tyre. Ne ishim fokusuar të mbyllnim mesfushën e kundërshtarit. Goli që pësuam ishte moment ngërçi. Pjesa e dytë ishte diçka ndryshe, futëm Rashicën në start.

Dhe pse dolëm me të kuqe, reaguam. Forca sulmuese dha dhe shënimin e golit.

Rashica nuk është më lojtari ynë, do e kemi në dispozicion deri nga mesi i shkurtit. Do mundohemi ta shfrytëzojmë, ai kishte dhe problematikë, nga e hëna në të enjte duke bërë vizitat mjekësore, dje ishte i sëmurë me 39, sot sakrifikoi për skuadrën. Dhe Nikaj nuk ka ardhur në kondicionin më të mirë. Të gjithë çunat sot kanë marrë notën maksimale për këtë shpirt gare. Në futboll nëse mendon që do fitojmë, fiton.

Besoj se kjo skuadër ka mundësi të mos jemi këtu. Duhej kjo shkundje. Futbollistët po besojnë se mund të fitojnë çdo ndeshje. Kur një skuadër dëmtohet është shumë e rëndë psikologjikisht për ta ngritur skuadrën”, u shpreh Gjoka për RTSH.